Cole Palmer, një nga talentet më të ndritur të futbollit anglez, mund të mos qëndrojë gjatë te Chelsea. Lojtari 22-vjeçar pritet të jetë pjesë e një transferimi të madh, me Real Madridin që shihet si destinacioni i radhës.
Fituesi i Kupës së Botës për Klube dhe një nga më të mirët te Chelsea sezonin e kaluar, ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme edhe gjatë ndeshjeve miqësore në SHBA.
Edhe pse këtë edicion është penguar nga lëndimet, Palmer mbetet një objektiv serioz për disa nga klubet më të mëdha evropiane.
Cole Palmer telegrafi.com
Raportimet nga mediat angleze sugjerojnë se sulmuesi mund të largohet nga “Stamford Bridge” më shpejt se pritej. Forma e tij që nga largimi nga Manchester City dhe ndikimi i menjëhershëm te Chelsea e kanë bërë Palmerin një emër të kërkuar në tregun e transferimeve, ndërsa besohet se vetë lojtari është i tunduar nga ideja për t’u bashkuar me Real Madridin.
Chelsea, megjithatë, nuk pritet ta lëshojë lehtë. Palmer ka ende tetë vite në kontratë dhe klubi londinez kërkon një shumë të lartë për kartonin e tij — rreth 130 milionë euro.
Një shifër që do ta bënte një nga transferimet më të shtrenjta në histori për “Los Blancos”.
Palmer te Chelsea
Palmer iu bashkua Chelseat në shtator të vitit 2023 nga Manchester City për afro 50 milionë euro, në një lëvizje që fillimisht u pa me skepticizëm, por që rezultoi një sukses i madh.
Deri më tani, ai ka regjistruar 101 paraqitje, duke shënuar 45 gola dhe dhënë 29 asiste. /Telegrafi/