CNN: Gjeneralë dhe admiralë thirren në Virxhinia nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes

news image

Qindra gjeneralë dhe admiralë amerikanë nga e gjithë bota janë thirrur të martën e ardhshme në një takim të papritur me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në bazën ushtarake të Quantico-s, në Virxhinia.

Lajmi është konfirmuar nga disa zyrtarë për CNN, ndërsa “Washington Post” raportoi për herë të parë ngjarjen të enjten në mëngjes.

Ajo që e bën këtë mbledhje të pazakontë është fakti se asnjë zyrtar nuk ka dhënë ndonjë arsye të qartë për takimin, duke nxitur spekulime të shumta në radhët e ushtrisë dhe politikës.

Një burim i njohur tha për CNN se kishte dëgjuar teori që varionin nga një “test i aftësisë fizike në grup”, deri te një informim mbi gjendjen e Departamentit të Mbrojtjes, ndërsa të tjerë e lidhin me një shkarkim të mundshëm masiv të oficerëve të lartë.

“Po quhet si ‘squid games’ e përgjithshme”, tha me shaka një zyrtar ushtarak për CNN.

Një ndihmës i Kongresit, duke komentuar për CNN, shtoi:“Përveç nëse Hegseth planifikonte të njoftonte një fushatë të re ushtarake të madhe ose një rishikim të plotë të strukturës së komandës ushtarake, nuk mund ta imagjinoj një arsye të mirë për këtë.”

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi zyrtarisht vetëm se Hegseth do t’u “drejtohet udhëheqësve të tij të lartë ushtarakë në fillim të javës së ardhshme”, pa dhënë detaje mbi axhendën apo përmasën e mbledhjes.

Mbledhja ndodh në një kohë kur administrata Trump ka ndërmarrë disa ndryshime të mëdha në hierarkinë ushtarake, përfshirë shkarkime të bujshme dhe urdhra për zvogëlim të numrit të gjeneralëve me katër yje me të paktën 20%, sipas një vendimi të Hegseth në maj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/