Qeveria e Venezuelës ka mbyllur ambasadën e saj në Norvegji, vetëm pak ditë pasi udhëheqësja e opozitës, María Corina Machado, u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqen.
Autoritetet venezueliane njoftuan se vendimi është pjesë e një “ristrukturimi të shërbimit të jashtëm”, pa përmendur drejtpërdrejt çmimin që ka shkaktuar reagime të forta politike në Karakas.
Ministria e Jashtme norvegjeze konfirmoi mbylljen e ambasadës venezueliane në Oslo, duke e quajtur veprimin “të pakëndshëm”, por theksoi se Komiteti Nobel është i pavarur nga qeveria norvegjeze.
Çmimi Nobel iu dha Machado-s për “përpjekjet e saj të palodhura në mbrojtjen e të drejtave demokratike të popullit venezuelian”. Presidenti Nicolás Maduro e quajti fituesen 58-vjeçare një “shtrigë djallëzore”, duke e akuzuar për komplot me Perëndimin.
Karakasi ka mbyllur gjithashtu ambasadën e tij në Australi, ndërsa ka hapur përfaqësi të reja në Zimbabve dhe Burkina Faso, të cilat i ka cilësuar “partnerë strategjikë në luftën kundër presioneve hegjemonike”.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm për Norvegjinë pas vitit 2010, kur Kina pezulloi marrëdhëniet diplomatike pasi Çmimi Nobel për Paqen iu dha disidentit Liu Xiaobo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!