Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka vlerësuar se mënyra se si po trajtohen masat për vendosjen e çmimeve tavan në treg nuk është duke u bazuar në praktika profesionale.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova ai tha se në këtë qasje vërehet mungesë e kuadrove adekuate, përcjell Klankosova.tv.
“Unë vlerësoj aq sa e shoh sjellje dhe veprimet e tyre, në njërën anë është joprofesionalizëm, mungesë e kuadrit adekuat, në anën tjetër e vlerësoj që janë manipulator në këtë drejtim. Joprofesionalizëm, sepse nuk po merren për bazë çmimet e bursës në nivel ndërkombëtar dhe ajo do ta rregullonte çmimin”, tha ai.
Ai thekson se çmimet në Kosovë nuk po reflektojnë realisht lëvizjet në bursat ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, do të duhej të shërbenin si pikë referimi për stabilizimin e tregut.
“Kur e marrim mbi këtë bazë, më shumë kemi ngritje të çmimeve në Kosovë, sesa që është bursa në nivel ndërkombëtar. Ndërsa kur flas në nivel të manipulimit, vlerësoj që qeveritarët vetëm e kam më shumë pjesën deklarative, sa për të bërë një sjellje populiste para qytetarëve, por veprimi është shumë i vobekët”, tha Kadrijaj.


