Clinton ndan një histori nga përditshmëria: Shqiptarë dhe serbë, bashkë në SHBA

news image

Gjatë një paneli të organizuar nga Clinton Global Initiative, ku ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-presidenti amerikan Bill Clinton ndau një histori të përditshme, por tejet simbolike për bashkëjetesën dhe fuqinë e paqes.

Ai foli për një restorant që e viziton shpesh, i cili shërben ushqime meksikane, por ku bashkëpunojnë njerëz nga kombësi të ndryshme.

“Ne kemi një vend që shet takos, ku shumica e punëtorëve janë meksikanë ose guatemalas, por pronari është një shqiptar nga Kosova. Dhe ja pjesa interesante — menaxheri, ai që më jep një birrë sa herë që hyj aty, është serb. Kjo është mrekulli”, tha Clinton.

Ai shtoi gjithashtu se dy familje kosovare jetojnë në të njëjtën rrugë ku banon së bashku me bashkëshorten e tij, Hillary Clinton.

Sipas Clinton, ky moment i thjeshtë pasqyron më së miri idealin për të cilin ia ka vlejtur të luftohet: një botë ku njerëzit me histori e kombësi të ndryshme bashkëpunojnë, bashkëjetojnë dhe ndërtojnë së bashku.

Gjatë panelit, Clinton u ndal edhe te vendimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, duke kujtuar sfidat që e shoqëruan këtë vendim historik:

“Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë, dhe në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë – dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë”, u shpreh Clinton.

Nga ana e saj, presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e aleancave ndërkombëtare dhe se liria nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Clinton ndan një histori nga përditshmëria: Shqiptarë dhe serbë, bashkë në SHBA appeared first on Sinjali.