Ish-diplomati amerikan, Jonathan Moore, ka shpalosur qëndrimet e tij rreth zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë-SHBA, pas vendimit të Uashingtonit për pezullimin e Dialogut Strategjik.
Moore deklaroi se në Kosovë nuk ka pasur progres vitet e fundit, përkundrazi, është shënuar kthim prapa. Si pasojë e kësaj, sipas tij, kanë ardhur qëndrimet e forta të Qeverisë Amerikane për të pezulluar dialogun me Kosovën.
E thotë qartë se përgjegjës për këtë është kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Do të jem shumë direkt dhe sërish po flas vetëm në emrin tim, ky pezullim i dialogut strategjik lidhet me faktin se Albin Kurti si kryeministër në kapacitetin teknik ka punuar kundër interesave jo vetëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkësisë Ndërkombëtare por edhe të vetvetes. Pra mund të thuhet se Albin Kurti ka punuar kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë së vet. Jam i detyruar ta nxjerrë këtë përfundim, kur shikoj punën që është bërë gjatë muajve të kaluar me administratën e Donald Trumpit apo edhe më parë në administratën e Joe Biden”, tha Moore në Rubikon të KlanKosova.
Ai përmendi edhe përpjekjet e ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për të sjellë progres.
“Ish ambasadori shumë i aftë këtu Jeff Hovenier, shumë mik i mirë i imi që doli në pension në janar në fund të mandatit të tij, që kishte punuar shumë për të sjellë ndryshimin, për të sjellë progres, për të sjellë dialogun madje edhe me qeverinë e Kurtit e të mos përmend edhe progresin e bërë në dialogun me Beogradin që është projekt tash e shumë vite edhe me Bashkimin Evropian. Është po thuajse e pamundur të tregohen shenja progresi në Kosovë. Kur populli i Kosovës që ka luftuar për sovranitet, demokraci, pavarësi dhe e fitoi atë dhe që ka pasur njohje ndërkombëtare që nga viti 2008, kuptohet që SHBA kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces, nuk po bëhet kurrfarë progresi për dialogun që do ta afronte Kosovën me Bashkimin Evropian dhe NATO-s, për njohje më të mëdha ndërkombëtare”, deklaroi Moore.
Ndërkohë, edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur kritika ndaj kryeministrit në detyrë. Ai tha se deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese ndikuan drejtpërdrejt në pezullimin e Dialogut Strategjik.
Sipas Hovenierit, pezullimi nga SHBA është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së Kurtit, ku veçanërisht rëndësi pati kritika e tij ndaj Kushtetueses.
Ai theksoi se ky vendim duhet marrë seriozisht dhe e cilësoi si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.
Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e arsyetuar me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve e paqëndrueshmërisë në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!