“Hajt shko në shpi, se veç po don me u nda prej burrit”, janë fjalët me të cilat përballen gratë kur duan të raportojnë dhunën.
Përveç paragjykimeve nga rrethi, gratë në Kosovë po paragjykohen edhe nga zyrtarët policorë, nga të cilët duhet të mbrohen.
Gjatë gjithë vitit, KIKS Kosova transmetoi hulumtime lidhur me rastet e dhunës në familja e madje edhe vdekjet e tyre të dyshimta.
Këtë të martë, në studio qe i ftuar Anton Nrecaj, këshilltar ligjor në CLARD, i cili foli për dhunën ndaj grave, paragjykimet dhe neglizhencën shtetërore në sigurinë e grave.
Duke theksuar se nënat vetushqyese janë heroina, në studio të KIKS Kosovës Nrecaj tha se ato po përballen me probleme si paragjykimet e mos-ndihma shtetërore.
“Nënat vetushqyese janë heroina, pavarësisht kësaj ato po përballen me mos ndihmën e shtetit e madje edhe me paragjykimet e njerëzve sepse ende nuk e kemi arritë si shoqëri me e kuptu lirinë e të drejtat e njeriut, s’e kemi kuptu jetën dinamike e zhvillimet e shoqërisë”, tha ai për KIKS Kosovën.
Tutje në bashkëbisedim me autoret e emisionit, në studio u diskutuan edhe paragjykimet që marrin gratë nga zyrtarët e policisë së Kosovës, kur duan të denoncojnë dhunën.
“Policia i paragjykon gratë kur shkojnë me e raportu dhunën fizike iu thonë, ‘hajt shkoni në shpi’, se më dhunën psikike as që bëhet fjalë me e marrë parasysh e iu thonë hajt se veç po gjen arsye me u nda”, tha autorja e emisionit Ardiana Thaçi- Mehmeti.
Se shteti nuk po bën asgjë për të mbrojtur gratë, e thekson edhe këshilltari ligjor Nrecaj.
“Kemi raste të ndryshme, ju e dini rastin e Diana Gashit e Sebahate Morinës, është vërtetu që ka kërku ndihmë nga institucionet mirëpo nuk është ndërmarrë asgjë dhe ka ardhë deri tek më e keqja”, ka shtuar Nrecaj.
Diskutimi në studio ka kaluar tek shkaqet që ndikojnë, ku Nrecaj shton se të drejtat zakonore po ndikojnë ende që dhuna në familje të jetë evidente.
“Nuk vlejnë më të drejtat zakonore, edhe i kanë bastardu duke mendu që burri e ka vendin në krye dhe e zotëron gruan, mirëpo ato më nuk vlejnë sepse janë themeluar në mesjetë e tani ne jemi në shekullin 21”, tha ai.
Mirëpo, pse shteti po dështon në mbrojtjen e grave edhe pse ka legjislaturën e duhur?
“Kosova zbaton konventën e Stambollit, e cila qartë thotë se e drejta e jetës së gruas nuk është e drejtë private por i takon shtetit, pra shteti duhet të merret me sigurinë e grave”, shtoi Ardiana Thaçi-Mehmeti.
Nrecaj në KIKS Kosova tha se medoemos shteti duhet të investojë më shumë në mbrojtjen e sigurinë e grave në vend.
“Duhet të bëhet presion ndaj institucioneve e shteti duhet të investojë e të ndahet buxhet për të gjitha. Pra investimi duhet të bëhet në mënyrë zinxhirore duke filluar nga polica, QPS e në gjykata dhe patjetër që të ketë divizione të ndara…”, tha ai. /Klankosova.tv
The post Cka (nuk) po bën shteti për mbrojtjen e jetës së grave në Kosovë? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.