E mërkurë, 6 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajmeÇka fshihet prapa lejes për ndërtim në Aktash kundër planit urbanistik? (VIDEO)

Çka fshihet prapa lejes për ndërtim në Aktash kundër planit urbanistik? (VIDEO)

Në lagjen Aktash të Prishtinës janë hedhur themelet e një pallati të ri, ndonëse kjo zonë nuk ka pasur kurrë plan urbanistik.

Leja ndërtimore nuk erdhi pas ndonjë procesi të kujdesshëm planifikimi, por përmes asaj që juristët e quajnë “heshtje administrative”, kur mungesa e përgjigjes nga autoritetet brenda afatit ligjor kthehet automatikisht në miratim.

Sipas njohësve juridikë, kjo histori mund të shndërrohet në një precedent të rrezikshëm: në njërën anë, leja duket në harmoni me ligjin për respektimin e afateve; në tjetrën, bie ndesh me planet urbanistike të komunës dhe rregullat e ndërtimit.

Por si ndodhi që ky pallat mori leje ndërtimi në një nga zonat më të diskutueshme të kryeqytetit?

Përgjigjja çon në rrugën Ukë Bytyqi, ku fillon edhe e gjithë historia.

Në vitin 2016, pronari i objektit NPT KGT, me përfaqësues Tomë S. Gashi, kishte marrë leje paraprake për ndërtesë 3-katëshe. [DOC]

Ky vendim ishte kundërshtuar që atëherë nga Bardhyl Kastrati, komshiu i tij. Ai kishte realizuar një peticion kundër këtij vendimi, pasi kishte dyshime se baza e këtij objekti ishte nisur për diçka më të madhe se aq. [DOC]
E duket se më vonë ashtu doli.

Tutje, marrësi i lejes, një vit më vonë, më 2017, kërkoi që të bëhej një plotësim-ndryshim i lejes ndërtimore në 5 kate apo B+P+5, kërkesë kjo që as nuk u refuzua, as nuk u aprovua. [DOC]

Kjo, sipas Ligjit për Ndërtim, pika 1.28 neni 3, nëse kërkesa nuk merr përgjigje brenda afateve ligjore, konsiderohet si aprovim në heshtje. [DOC]

Kjo ishte pika që qytetari, që kërkoi leje në parcelën prej pesë ari në rrugën Ukë Bytyqi, ta përdorte për të bërë kërkesë edhe në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, që të miratonte kërkesën e tij nga ana e komunës, pasi me heshtjen e saj ajo konsiderohej e miratuar.

Ministria i kthen përgjigje pozitive, pasi kërkesa ishte konform ligjit, dhe kërkon nga komuna aprovimin e kërkesës së aplikuesit. [DOC]

Kështu, për të kundërshtuar këtë vendim, Komuna e Prishtinës, mbase e vetëdijshme për gabimin e saj, por përsëri e dërgon lëndën në gjykatë dhe kërkon anulimin e pëlqimit nga ministria si organ i dytë vendimmarrës në këtë rast.

Tutje, më 2023, merret aktgjykimi i Gjykatës Themelore, e cila i jep të drejtë aplikuesit për leje dhe e detyron komunën e Prishtinës të japë lejen ndërtimore. [DOC]

Pas një periudhe dyvjeçare hezitimi për ta nënshkruar, më 2 qershor 2025, Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë e nënshkruan dhënien e lejes ndërtimore. [DOC]

Lagjja e Aktashit nuk ka plan zhvillimor urbanistik të miratuar në Komunën e Prishtinës, dhe dhënia e lejeve ndërtimore do të duhej të ishte e ndaluar.

Bardhyl Kastrati, komshiu i ndërtuesit të objektit, tani thotë se po i shkelet e drejta e pronës, privatësia dhe po i ndalohet edhe drita e diellit ose ate qe e quan “djellosja e shtëpisë,” pasi objekti është shumë afër pronës së tij dhe në anën jugore.

Bardhyli, përmes avokatit të tij Arbër Jupolli, ka bërë padi më 17 korrik në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër këtij vendimi, ku ka kërkuar anulimin e lejes ndërtimore dhe ndalimin e punimeve. [DOC]

Kiksi i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me rastin, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

 

 

The post Çka fshihet prapa lejes për ndërtim në Aktash kundër planit urbanistik? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT