Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka folur për Lëvizjen Vetëvendosje gjatë një diskutimi publik, duke e akuzuar se po tenton të rrënojë themelet e demokracisë dhe të ndërtojë një “republikë të tretë”.
Në tryezën me temën “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, Çitaku tha se demokracia nuk është forma e vetme e qeverisjes, dhe se qasja e Vetëvendosjes po çon drejt një rreziku real për rendin kushtetues.
“Po e shohim një përpjekje për të ndërtuar një republikë të tretë. Demokracia nuk është sistemi i vetëm – ekziston edhe diktatura, edhe komunizmi, edhe monarkia. Po mundohemi ta mbrojmë demokracinë nga ata që tentojnë ta delegjitimojnë çdo institucion të saj,” tha ajo.Ajo nënvizoi se populli i Kosovës ka kaluar sfida shumë më të mëdha dhe i bëri thirrje VV-së që të mos e konsiderojë veten si forcë absolute.
“Ju mund të jeni partia e parë, por nuk jeni të vetmit. Nuk keni shumicën. Duhet të bëni kompromis, sepse kompromisi është bazë e demokracisë, jo dobësi. Kosova është më e madhe se secili prej nesh, më e madhe se Albini, Albulena apo kushdo tjetër”.
Duke folur për qëndrimin e PDK-së ndaj zgjedhjes së anëtarëve të rinj të qeverisë, Çitaku theksoi se nuk mund të votojnë për dikë që mban dy pozita, apo për ministra për të cilët kanë pasur kundërshtime të qarta më parë.
“Nuk mund të japim votën për një kastë ministrash ndaj të cilëve kemi qenë vazhdimisht kritik. Zonja Haxhiu, për shembull, ka sjellë disa projektligje antikushtetuese, përfshirë edhe atë për Qeverinë”, shtoi ajo.
The post Çitaku: VV-ja po synon të ndërtojë një republikë të tretë appeared first on Klan Kosova.