E shtunë, 19 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeÇitaku për pasojat e ngërçit: Tash gjashtë muaj s’flasim për pensionistët, mësuesit,...

Çitaku për pasojat e ngërçit: Tash gjashtë muaj s’flasim për pensionistët, mësuesit, policët, ushtarët, mjekët

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, tha se ngërçi institucional i shkaktuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po i kushton shtetit me pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale.

Ajo në një intervistë për Ekonomia Online, tha se e gjithë kjo situatë është rezultat i egoizmit politik të kryeministrit Kurti dhe ambicies së ministres Haxhiu për t’u bërë kryetare e Kuvendit.

“Është një skenar, të cilin nuk kemi mundur ta imagjinojmë në vitin 2008, kur kemi shpallur pavarësinë dhe kur kemi pranuar njohje të fuqishme ndërkombëtare. Pasojat po i vërejmë çdo ditë. Ne tash e gjashtë muaj nuk flasim për 200 mijë pensionistë të Kosovës, të cilët në fund të muajit duhet të zgjedhin mes barnave dhe ushqimit. Nuk flasim për mijëra mësues dhe punëtorë të sektorit të arsimit, të cilët ballafaqohen me sfida të mbijetesës. Nuk flasim për policët, nuk flasim për ushtarët, nuk flasim për mjekët, nuk flasim për 140 mijë punëtorë të sektorit privat, vendet e punës të të cilëve po rrezikohen nga vendimet arbitrare të qeverisë Kurti në sektorin e energjisë. Tash e gjashtë muaj ne flasim për egon e një njeriu: Kurtit dhe ambicien e Haxhiut për t’u bërë kryekuvendare”, tha Çitaku, transmeton Klankosova.tv.

Ajo e cilësoi situatën aktuale si “tërësisht të paimagjinueshme” për një shtet që ka fituar lirinë dhe pavarësinë me aq shumë sakrificë, ndërsa akuzoi udhëheqësit aktualë për dështim në ruajtjen e aleancave perëndimore dhe rrënimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Është situatë tërësisht e paimagjinueshme për një shtet i cili ka fituar lirinë 26 vjet më parë dhe pavarësinë në vitin 2008. Kjo liri dhe kjo pavarësi ka ardhur me një kosto të lartë, me një sakrificë të gjeneratave të tëra që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka ardhur edhe si rezultat i një mbështetjeje të fuqishme të botës perëndimore. Fatkeqësisht, kasta e tanishme e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës i ka trajtuar me nënçmim aleancat dhe ka rrënuar urat e bashkëpunimit, të cilat ne i kemi ndërtuar me shumë mund dhe shumë sakrificë”, tha Çitaku.
Ajo rikujtoi se Kosova ndodhet aktualisht nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe se është izoluar edhe nga aleatët tradicionalë, përfshirë Shqipërinë.

“Sot Kosova është nën sanksione, as që bëhet fjalë për integrim dhe njohje. Është nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian dhe ka acaruar raportet me të gjithë, madje edhe me Shqipërinë,” tha Çitaku.

The post Çitaku për pasojat e ngërçit: Tash gjashtë muaj s’flasim për pensionistët, mësuesit, policët, ushtarët, mjekët appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT