Çitaku: PDK-ja po përkrahet masivisht në gjithë Kosovën

Çitaku: PDK-ja po përkrahet masivisht në gjithë Kosovën

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka deklaruar sot në një konferencë për media se PDK po gëzon mbështetje të madhe qytetare në të gjithë vendin gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.

Ajo tha se në ditën e tetë të fushatës, kandidatët për kryetarë komunash dhe ekipet për kuvendet komunale të PDK-së kanë realizuar mbi 1,000 takime në të gjitha qytetet, lagjet dhe fshatrat e Kosovës.


“Oferta jonë politike është pritur me entuziazëm dhe besim. Sepse është oferta më e mirë në vend dhe përfaqëson modelin më të suksesshëm të qeverisjes lokale,” u shpreh Çitaku.

Sipas saj, PDK synon të fitojë jo vetëm në komunat që aktualisht qeveris, por edhe në shumë të tjera, falë siç tha ajo epërsisë së qartë të kandidatëve të saj ndaj kundërshtarëve.

“Ne nuk po kërkojmë votën për hir të partisë, por për të ndërtuar bashkë komuna që nuk janë pronë e individëve, por shtëpi e secilit qytetar,” tha ajo, duke theksuar qasjen për një qeverisje lokale të përgjegjshme dhe llogaridhënëse.

Çitaku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen e gjerë në takime dhe për kulturën demokratike që po shfaqin gjatë fushatës, si dhe shprehu mirënjohje të veçantë për aktivistët e partisë në terren.

“PDK do të fitojë. Qytetarët tanë do të fitojnë dhe Kosova do të fitojë!”, përfundoi ajo./Telegrafi/