Çitaku godet Gërvallën: E ka shkatërruar shërbimin diplomatik (VIDEO)

Vlora Çitaku

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër kryediplomaten në detyrë të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ajo në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se Gërvalla në krye të diplomacisë kosovare nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

“Do të doja që zonja Gërvalla të kishte suksese në politikën e jashtme dhe  po ua them jo vetëm si sekretare e përgjithshme e PDK-së, jo si deputete, po ua them si shqiptare e Kosovës, si një njeri që nuk ka pasaportë të dytë. Nuk kam pasaportë tjetër, jam shqiptare e Kosovës, jetoj këtu. Nuk e kam Kosovën trampolinë, as nuk e kam opsion të dytë dhe nuk kam plan B, pos Kosovës”.

Ajo ka thënë më tutje se Gërvalla e ka shkatërruar plotësisht shërbimin diplomatik të Kosovës.

“Zonja Gërvalla, për shembull në ministrinë e Punëve të jashtme nuk ka prodhuar asnjë rezultat, po flas këtu për infrastrukturën njerëzore, diplomatike të MPJ-së, e ka shkatërruar plotësisht shërbimin diplomatik”.

“Disa prej ambasadorëve më të shquar të karrierës që kanë shërbyer prej themelimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme janë larguar nga shërbimi diplomatik dhe kjo është humbje e madhe sepse Kosovës i janë dashur vite që të kaliten diplomatët, të fitohen përvojat e domosdoshme dhe shumë prej tyre tanimë janë larguar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Të mos flasim për prezantimin shpeshherë qesharak që i është bërë Kosovës në forume”, shtoi Çitaku, njofton Klankosova.tv.

 

The post Çitaku godet Gërvallën: E ka shkatërruar shërbimin diplomatik (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.