Cillian Murphy mahnit kritikët me rolin e drejtorit në dramën e re të Netflix-it “Steve”

Cillian Murphy mahnit kritikët me rolin e drejtorit në dramën e re të Netflix-it “Steve”

Cillian Murphy është vlerësuar lart për interpretimin e tij në filmin e ri të Netflix-it Steve, ku luan rolin e një drejtori shkolle në vështirësi.

Aktori irlandez, i njohur për “Peaky Blinders” dhe fitues i Oscar-it me “Oppenheimer”, është cilësuar nga kritikët si “i denjë për çmime” dhe “magjepsës”, me shumë prej tyre që i dhanë filmit katër nga pesë yje.


Drama e bazuar në romanin Shy të Max Porter shpalos historinë e 24 orëve vendimtare në një shkollë reformimi për djem problematikë, e quajtur shpesh “salla e pritjes për burg”, shkruan DailyMail.

Përballë sfidave të mëdha, Murphy portretizon Steve-in, një drejtor që lufton jo vetëm me nxënësit, por edhe me demonët e tij të brendshëm. Krahas tij shkëlqen edhe Tracey Ullman, në rolin e zëvendëses së guximshme.

Kritikët nga Radio Times, Empire, Metro dhe The Guardian e quajtën filmin “urgjent, të fuqishëm” dhe “dinamit kinematografik”, duke vlerësuar fuqinë emocionale dhe regjinë e Tim Mielants.

Financial Times i dha pesë yje, duke e cilësuar Murphy-n “brilant dhe elokuent”, ndërsa Rolling Stone UK theksoi interpretimin e tij të përkushtuar.

Megjithatë, jo të gjithë ishin plotësisht të bindur. The Times dhe The Washington Post i dhanë tre yje, duke e përshkruar filmin si një eksperiencë të ashpër, me një energji të tepruar maniake, por edhe të vërtetë dhe prekëse në mesazhin e tij.

Në tërësi, Steve shihet si një nga dramat më të forta të këtij sezoni, duke e vendosur Cillian Murphy-n sërish në qendër të garës për çmime të mëdha. /Telegrafi/