Një çift në Britani të Madhe duhet t’i falënderohet insistimit të vajzës së tyre trevjeçare për ëmbëlsirë për fitoren prej 604 mijë eurosh (524 mijë funte) në “EuroMillions”.
Është ky Valdet Bujupi, 44 vjeç, nga Barrow, Cumbria, që me prejardhje është nga Kosova, i cili tha se nuk do ta kishte blerë biletën po të mos kishte qenë vajza e tij aq ngulmuese në kërkesën për ëmbëlsira gjatë rrugës për në shtëpi.
Babai i dy fëmijëve rrëfeu se ishte dorëzuar pas herës së tretë që ajo kishte kërkuar: “Të lutem babi, a mund të marr pak ëmbëlsira?”.
“Jemi të gjithë të mahnitur dhe vajza jonë, që ishte tashmë princesha e babit, tani është promovuar në Mbretëreshë”, tha ai me humor, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Bujupi kishte luajtur një biletë “lucky dip” në shortin e 5 shtatorit dhe kishte qëlluar pesë numrat kryesorë dhe një “lucky star” – 27, 30, 31, 41, 43 dhe 05 e 08.
Bashkëshortja e tij, Abbey Bujupi, 40 vjeçe, tha se kishte qenë duke pastruar kur mori telefonatën nga bashkëshorti.
“Isha duke pastruar banjën dhe nuk u gëzova aspak që duhej të hiqja dorezat për t’u përgjigjur. Fjalët e para të Valdetit ishin: ‘Rezervo Nju Jorkun, e fitova lotarinë’”, tregoi ajo.
Çifti kishte qenë duke kursyer për udhëtimin e ëndrrave në Nju Jork që nga Krishtlindjet e kaluara, por zonja Bujupi tha se gjithmonë kishte dalë diçka që “na prishte planet”.
“Tani gjëja që na është ‘prishur’ është bilanci ynë i rritur bankar. Më në fund mund ta bëjmë realitet Nju Jorkun – dhe shumë plane të tjera”, shtoi ajo, transmeton Klankosova.tv.
Kur ia treguan lajmin djalit të tyre 12-vjeçar, Valdet Bujupi tha se kishte qenë “një nga momentet më të çmendura” duke u përpjekur ta bindnin se kishin fituar.
“Ai mendoi se po bënim shaka, dhe vetëm kur ia tregova fitoren në aplikacionin e lotarisë, filloi të na besonte”, tregoi ai.
Përveç udhëtimit në Nju Jork, babai tha se po planifikonte edhe një dhuratë të madhe për nënën e tij në Kosovë, për “t’ia lehtësuar pak jetën”.
“Mundësia për ta ndihmuar nënën që të shijojë vitet e saj të pleqërisë në qetësi do të thotë shumë për ne të dy”, shtoi ai.
Çifti po mendon gjithashtu të ndërrojnë shtëpinë dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët. /Klankosova.tv
The post Çifti Bujupi fiton 600 mijë euro në loto në Britani, Valdeti për BBC: Do ta ndihmoj nënën time në Kosovë appeared first on Klan Kosova.