Chelsea fiton në “frymën e fundit” ndaj Liverpoolit

Chelsea fiton në “frymën e fundit” ndaj Liverpoolit

Chelsea ka fituar me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Liverpoolit në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të Ligës Premier.

Chelsea kaloi në avantazh në minutën e 14-të me një supergol nga Moises Caicedo.


Mesfushori ekzekutoi saktë nga jashtë zonës, pas një pasimi nga Malo Gusto, dhe e dërgoi topin në cepin e sipërm të majtë të portës për 1-0.

Liverpool kishte mundësi të barazonte në minutën e 19-të me Dominik Szoboszlai, por tentativa e tij u ndal nga portieri.

Chelsea iu afrua golit të dytë në minutën e 38-të me Alejandro Garnachon, i cili gjuajti ngjitur me shtyllën pas një aksioni të nisur nga Cucurella.

Minutën pasues, Garnacho u rrëzua në zonë pas një kontakti, por gjyqtari Anthony Taylor, pas rishikimit me VAR, vendosi të mos akordojë penallti.

Në fundin e pjesës së parë, Alexander Isak rrezikoi për Liverpoolin me një goditje me kokë që përfundoi shumë pranë traversës. Me rezultatin 1-0 për Chelsean, skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Liverpool hyri më kërkues. Mohamed Salah humbi një rast të pastër në minutën e 46-të, kur goditja e tij brenda zonës shkoi ngjitur me shtyllën.

Barazimi erdhi në minutën e 63-të, kur Cody Gakpo u shërbye nga Alexander Isak në zonë dhe goditi saktë në pjesën e sipërme të rrjetës, duke kaluar portierin për 1-1.

Kur dukej se ndeshja do të përfundonte baras, Chelsea ia doli që në minutën e 96-të të realizojë sërish, kësaj radhe përmes Estevao Willian që realizoi për rezultatin përfundimtar 2-1./Telegrafi/