Barcelona pritet të konsiderojë shitjet në vitin 2026, në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar situatën e saj financiare.
Emra si Marc-Andre Ter Stegen dhe Robert Lewandowski mund të jenë duke zhvilluar sezonin e tyre të fundit në Kataloni, ndërsa një tjetër lojtar që mund të largohet është mesfushori Marc Casado.
Casado u ngjit në ekipin e parë të Barcelonës pas mbërritjes së trajnerit Hansi Flick në verën e vitit 2024, por që atëherë roli i tij ka rënë gradualisht dhe nuk pritet të rritet në të ardhmen e afërt.
Për këtë arsye, ekziston mundësia që ai të shitet, duke qenë se Pedri, Frenkie De Jong, Gavi dhe Marc Bernal janë, në teori, përpara tij në hierarki.
Barcelona kishte synuar ta shiste Casadon në merkaton e verës, por kjo rezultoi e pamundur.
Megjithatë, me rihapjen e dritares së transferimeve, klubi mund të tentojë sërish shitjen e mesfushorit të ri, veçanërisht duke marrë parasysh raportimet nga CaughtOffside, sipas të cilave gjigantët e Ligës Premier, Chelsea dhe Arsenal, kanë shprehur interes për të.
Sipas raportit, Barcelona është e gatshme të pranojë oferta në vlerën e 30-35 milionë euro, një shumë lehtësisht e përballueshme për klube si Chelsea dhe Arsenal.
Megjithatë, një sfidë e veçantë do të jetë bindja e 22-vjeçarit për t’u larguar nga Katalonia, pasi ai nuk ka shfaqur asnjë dëshirë për të braktisur klubin.
Nëse Casado do të mbetet opsioni i pestë në repartin defensiv, atëherë ka kuptim që Barcelona ta shesë sa kohë vlera e tij është ende e lartë.
Shuma prej 30-35 milionë eurosh do të ishte një ndihmë e konsiderueshme për situatën financiare të klubit, sidomos duke pasur parasysh që këto të ardhura do të përfaqësonin fitim të pastër, pasi lojtari ka dalë nga akademia./Telegrafi/