Një natë e jashtëzakonshme e MMA-së u zhvillua në Rio de Janeiro, ku UFC Fight Night 261 solli emocione të shumta para publikut brazilian.
Eventi kryesor u karakterizua nga përballja mes Charles Oliveira dhe Mateusz Gamrot, dy luftëtarëve që garantuan spektakël në oktagon.
Ish-kampioni i kategorisë së lehtë, Charles “Du Bronx” Oliveira, luftoi për herë të 18-të në tokën braziliane dhe si gjithmonë, nuk zhgënjeu: fitorja e tij e 18-të në po aq duele në Brazil. Fillimisht ishte planifikuar të përballej me Rafael Fiziev, por pas lëndimit të këtij të fundit, polaku Gamrot pranoi sfidën me pak ditë njoftim, një vendim që i dha fundjavës edhe më shumë interes.
Oliveira e justifikoi statusin e tij si favorit absolut, duke mposhtur Gamrot në raundin e dytë me një levë mbresëlënëse, një lëvizje që e detyroi kundërshtarin të dorëzohej. Me këtë sukses, “Du Bronx” i shkaktoi humbjen e katërt në karrierë polakut dhe shënoi fitoren e tij të 36-të në 48 duele profesionale.
Në pjesën tjetër të mbrëmjes, u dallua edhe Deiveson Figueiredo, ish-kampion i peshave mizë, i cili mposhti Montel Jackson në një duel të ashpër. Pas tre raundeve të ngushta, braziliani fitoi me vendim të ndarë të gjyqtarëve (28–29, 29–28, 29–28), duke i dhënë fund serisë së tij prej dy humbjesh radhazi dhe duke rikthyer besimin në karrierën e tij.
Një mbrëmje perfekte për sportin brazilian dhe për fansat që panë Charles Oliveiran të kthehej sërish në formën e tij më të mirë – spektakolar, dominues dhe i pandalshëm në vendlindjen e tij. /Telegrafi/