Çfarë thonë pasarelat e modës: Si do ta mbajmë “bob”-in e shkurtër në vitin 2026

Çfarë thonë pasarelat e modës: Si do ta mbajmë “bob”-in e shkurtër në vitin 2026

Frizura ikonike vjen me një frymë të re – shtresa të lehta, onde natyrale dhe një prekje retro që e bën “bob”-in klasik të duket më modern se kurrë

Nëse ekziston një model flokësh që kurrë nuk del nga moda, ai është padyshim “bob”-i i shkurtër. Prej vitesh ky stil i përjetshëm ka marrë forma të ndryshme, nga versioni më i gjatë dhe asimetrik në fillim të viteve 2000, tek prerja e drejtë klasike, apo ajo me balluke që mbizotëroi në vitin 2020, e deri te stili “boyish” që u bë trend në fillim të këtij viti.


Tani, Dior ka zbuluar versionin më të ri të kësaj frizure për vitin 2026, në një pamje tërësisht të freskët dhe bashkëkohore.

Rikthimi i viteve ’70 në skenën e madhe të modës

Në shfaqjen e tij të parë për Christian Dior, dizajneri Jonathan Anderson prezantoi një interpretim të ri të prerjes “bob”, të frymëzuar nga stili i viteve ’70, transmeton Telegrafi.

Frizura është menduar të jetë shumë e shkurtër, e prerë me shtresa, me gjatësi që ndalet vetëm disa centimetra mbi supe. Fijet e përparme janë më të shkurtra, ndërsa ato të pasme shtrihen deri në fund të qafës, duke krijuar një pamje dinamike dhe me dimension.

Por ajo që e dallon këtë version nuk është vetëm forma, tekstura është natyrale, lehtësisht me onde, sikur flokët të jenë tharë vetë pas gjumit. Kjo i jep frizurës një ndjesi spontane, të freskët dhe me magjinë e një sharmi retro autentik.

Balanca mes sofistikimit dhe relaksit

Koleksioni i Dior-it për 2026 dëshmoi se “bob”-i mbetet frymëzim i pashtershëm për stilistët dhe parukierët. Ai vazhdon të rishpiket çdo dekadë, duke ruajtur thelbin e elegancës dhe thjeshtësisë.

Këtë herë, kombinimi i vijave të pastra me valëzime të buta sjell ekuilibrin perfekt mes sofistikimit modern dhe lehtësisë së përditshme, ashtu siç e diktojnë tendencat e reja të pasarelave për vitin 2026.

/Telegrafi/