Çfarë fshihet në shtratin tuaj? Dhoma e gjumit mund të kërcënojë shëndetin tuaj

news image

Fakti që insektet jetojnë në shtretërit dhe jastëkët tanë tingëllon frikshëm, por është e vërtetë. Këto insekte mikroskopike, sado të vogla, mund t’jua nxijnë jetën.

Me avancimin e teknologjisë, ekspertët po zbulojnë mënyra të reja për të luftuar kundër këtyre krijesave që mund të shkaktojnë edhe alergji.

Ekspertët rekomandojnë disa hapa që mund t’ju ndihmojnë t’i eliminoni këto krijesa të vogla:

Ajrosja e dhomës

Tenjat, bakteret dhe myku pëlqejnë kushtet e lagështa dhe të ngrohta. Ajrosni dhomën rregullisht, çdo ditë për të paktën dhjetë minuta, që ajri i pastër të qarkullojë dhe të mbajë dhomën të thatë.

Jastëkët

Flokët, kremi dhe djersa janë disa nga përbërësit që jastëku thith çdo natë. Shumica e jastëkëve mund të lahen në rrobalarëse, por kontrolloni etiketën përpara se t’i lani. Nuk është e nevojshme t’i lani shpesh, mjafton një herë në vit.

Çarçafët

Çarçafët duhet të ndërrohen çdo dy javë, ose më shpesh nëse jetoni me partner. Lajini në 60 gradë për të shkatërruar bakteret. Ndërhyrjet e rralla mund të çojnë në grumbullim të kërpudhave, baktereve, djersës dhe sekrecioneve që shkaktojnë alergji dhe infeksione.

Dysheku

Dysheku është një vatër pjellore për tenjat. Ai duhet të pastrohet me fshesë me korrent të paktën dy herë në vit.

Dyshemeja

Pastrojeni një herë në javë dhe përdorni fshesë me korrent për të arritur në qoshet dhe nën krevat. Fshijeni dyshemenë prej druri me peceta ose leckë të lagur, transmeton Telegrafi.

Shenjat e përhapjes së tenjave

Një person alergjik mund të ketë probleme me frymëmarrjen (kollë, astmë, rinit) dhe të vërejë reaksione alergjike në lëkurë si kruajtje, dermatit ose ekzemë.

Çfarë fshihet në çarçafët që nuk ndërrohen shpesh

Shkencëtarët paralajmërojnë se nëse çarçafët nuk ndërrohen rregullisht, grumbullohen kërpudha, baktere, djersë, sekrecione dhe tenja të shumta që mund të shkaktojnë alergji dhe sulme astme. Pluhuri në ajër gjithashtu mblidhet në shtrat dhe thithet gjatë gjumit.

Çfarë banon në krevatin tonë

“Tenjat, bakteret, qimet e kafshëve, mbetjet e trupit të njeriut si djersa, jargët, sekrecionet dhe urina jetojnë në krevat”, thotë mikrobiologu Filip Tierno nga Universiteti i Nju-Jorkut. Hulumtimet tregojnë se një burrë mesatar mund të lërë deri në 100 litra djersë në krevat gjatë një viti. Jastëkët mund të përmbajnë nga 4 deri në 17 lloje kërpudhash, ndërsa dysheku mund të ketë deri në një milion tenja.

“Këto janë insekte të vogla që mund të ndikojnë negativisht në astmë dhe të shkaktojnë alergji”, shton Tierno.

Trajtimi jofarmakologjik

Masat për të reduktuar numrin dhe riprodhimin e tenjave përfshijnë:

Përdorimi i këllëfëve specialë rezistues ndaj alergjenëve për dyshekët, jastëkët dhe mbulesat.

Lani mbulesat, jastëkët dhe lodrat e buta çdo javë në 60 gradë Celsius.

Fshijeni pluhurin dhe përdorni fshesë me korrent me filtër.

Mbani lagështinë e ajrit midis 30-45% dhe temperaturën e dhomës 18-21°C.

Freskoni ajrin me pastrues ajri dhe mbani vetëm disa bimë të brendshme.

Zëvendësoni tapiceritë me divane dhe kolltukë me lëkurë, dhe tepihun me parket ose vinil.

Mbani larg kafshët shtëpiake me gëzof ose pupla dhe ajrosni rregullisht dhomën.

Përdorni pastrues me avull ose aparat eliminues të lagështisë në dhoma veçanërisht të lagështa.

Ekspertët shpresojnë që këto këshilla do t’ju ndihmojnë të kufizoni praninë e tenjave dhe të mbani ambientet e gjumit sa më të pastra dhe të shëndetshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/