Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po bën çdo përpjekje brenda kompetencave të tij për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Para mediave, Nagavci tha se Kurti ka pasur takim me kryetarin e LDK-së dhe po intensifikon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje:
“Kryeministri Kurti ka pasur takim me kryetarin e LDK-së, besoj që ai është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i VV-së. Besoj që gjatë gjithë këtyre ditëve do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjedhje, dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka caktuar Kushtetuesja, jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në kuvend, zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër, janë të panevojshme”, deklaroi ajo.
Nagavci shtoi se kryeministri Kurti po vepron me përgjegjësi për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Kryeministri Kurti është duke bërë gjithçka është në mandatin e tij dhe jam e bindur që të do të trajtojë në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme, shmangien e zgjedhjeve të reja”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


