Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e presidentit është tejet e rëndësishme, dhe e njëjta duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh institucional dhe politik.
Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ai bëri të ditur se posa të zhvillojë konsultimet e brendshme, do të nisë dërgimin e ftesave për takim me kryetarët e partive opozitë, njofton Klankosova.tv.
“Kjo është çështje tejet e rëndësishme, zgjedhja e presidentit duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional dhe politik. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk gaboj, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë, pra jo 3, por 30. Megjithatë, do të përpiqemi që sa më shpejt të kryejmë sa më shumë. Për këtë më nevojiten konsultimet e brendshme, dhe dihet se pas tyre menjëherë do të dërgojmë ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare”, deklaroi shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë, por nuk duhet “të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë”.
“Sa i përket rëndësisë, kjo duhet trajtuar me urgjencë. Nuk duhet të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë. Në këtë kuptim, çështja është më e rëndësishme dhe urgjente, por Kushtetuesja na ka dhënë një periudhë kohe që na lejon jo vetëm të veprojmë shpejt, por edhe të shmangim gabimet në mënyrën se si arrijmë aty ku duhet”, përfundoi kryeministri./Klankosova.tv


