Saturday, March 7, 2026
spot_img
HomeLajmeCertifikohen 168 ekspertë, Gërvalla: Moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë

Certifikohen 168 ekspertë, Gërvalla: Moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se 168 ekspertë të rinj janë certifikuar për të shërbyer në fushën e drejtësisë.

Ajo e ka vlerësuar certifikimin e tyre si një hap të rëndësishëm për forcimin e sistemit të ekspertizës gjyqësore në vend.

Gërvalla në një shkrim në Facebook e ka cilësuar këtë si moment të rëndësishëm për drejtësinë.

“Drejtësia shpesh vështirë funksionon pa mendimin e ekspertit të mirëfilltë. Gjykatat dhe institucionet publike kanë nevojë për vlerësime të sakta, profesionale dhe të pavarura nga fusha të ndryshme. Ekspertiza profesionale ndihmon që vendimet të jenë më të drejta, më të argumentuara dhe më të besueshme.

Certifikimi i 168 ekspertëve të rinj gjyqësorë përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për ta dhe për familjet e tyre, por edhe për sistemin e drejtësisë në vend, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi më të qartë, më profesional dhe më të besueshëm të ekspertizës gjyqësore”.

“Me marrjen e këtij certifikimi, ekspertët e rinj nuk marrin vetëm një dokument apo një titull profesional, por edhe një përgjegjësi publike, për të qenë të saktë, të paanshëm dhe të ndershëm, duke ruajtur integritetin në vlerësimet e tyre profesionale. Shpesh e vërteta profesionale nuk është e lehtë dhe jo gjithmonë është e përshtatshme për të gjitha palët, por pikërisht aty qëndron rëndësia e rolit të ekspertit”, shkroi Gërvalla, transmeton Klankosova.tv.

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT