Cenimi i votës, dy raste në procedurë të rregull – s’ka të arrestuar

Cenimi i votës, dy raste në procedurë të rregull - s'ka të arrestuar

Deri në mbylljen e procesit të votimit në Kosovë, Prokurori i Shtetit njofton se nuk ka ndaluar asnjë person për vepra penale që lidhen me të drejtat e votimit.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth 100 prokurorë dhe staf mbështetës nga sistemi prokurorial kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë ditës për të mbikëqyrur dhe garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.


Gjatë ditës, janë pranuar disa informata lidhur me parregullsi të mundshme, por vetëm dy raste janë cilësuar si të mbështetura në elemente të veprave penale.

“Rasti i parë është regjistruar në fshatin Bare – Mitrovicë e Jugut, për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit. Rasti i dytë ka ndodhur në Kllokot – Gjilan, për veprën “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”. Edhe në këtë rast, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe gjatë procesit të numërimit të votave në vendvotime, deri në përfundimin e dorëzimit të tyre në qendrat komunale të numërimit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka shprehur falënderim për qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin dhe ndihmën në parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor. /Telegrafi/