Çeku voton në Prishtinë: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme – dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste

Çeku voton në Prishtinë: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme – dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka votuar sot në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, duke ushtruar të drejtën e tij qytetare në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Pas votimit, Çeku dha një prononcim për media ku e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare.


“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste dhe besoj që edhe kjo do të jetë e tillë. Pas një fushate të qetë dhe përgjithësisht konstruktive, që realisht u përmbyll në mënyrën më të mirë e më të bukur me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë mbrëmë në futboll, sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike”, deklaroi ai.

Çeku u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votim dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë deri në mbylljen e vendvotimeve.

“Këtë duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët pa dallim deri në fund të ditës, sepse sot bashkërisht si qytetarë përcaktojmë katër vitëshin e ardhshëm, drejtimin e qytetit dhe të komunës”, theksoi kandidati i LVV-së.

Ai përmbylli deklaratën e tij me një urim që dita e zgjedhjeve të kalojë pa probleme dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Uroj që gjithçka të shkojë mbarë e mirë sot dhe që përfundimi të jetë i mirë për të gjithë qytetarët”. /Telegrafi/