Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të sektorit të teknologjisë si motor për transformimin e kryeqytetit.
Ai vizitoi kompaninë Fourbyte, të cilën e cilësoi si shembull të qartë të potencialit të industrisë digjitale dhe kreative në Kosovë. Sipas Çekut, kjo kompani po zhvillon zgjidhje inovative për menaxhimin inteligjent të ujit, ndriçimit dhe mbrojtjes së ambientit – produkte që kursejnë burime dhe rrisin efikasitetin e shërbimeve publike.
“Këtë qasje do ta ndjekim edhe ne, duke ofruar mbështetje për ekonominë digjitale e kreative dhe përfshirje të saj në zhvillimin e qytetit. Teknologjia nuk është vetëm industri, por mjet për ta bërë qytetin më të mençur, më të gjelbër dhe më të drejtë për secilin banor”, deklaroi Çeku.
Ai theksoi se me vizion të qartë dhe bashkëpunim me sektorin inovativ, Prishtina mund të shndërrohet në një shembull transformimi përmes dijes dhe teknologjisë.