Mbrëmë, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kandidati për kryetar të Prishtinës nga LV, Hajrulla Çeku, deklaroi se sfidat e kryeqytetit nuk mund të zgjidhen brenda një mandati katërvjeçar dhe se nuk mund të ketë premtime magjike.
“Unë nuk kam zgjidhje magjike, as nuk premtoj mrekulli. Nuk ka zgjidhje të shpejta e të lehta për një Prishtinë që ka akumuluar probleme për dekada të tëra,” tha Çeku, duke shtuar se qasja e tij është të jetë realist dhe i sinqertë me qytetarët.
Ai theksoi se disa probleme kërkojnë reagim të shpejtë, të tjera zgjidhen për dy deri në tri vjet, ndërsa sfidat madhore mund të marrin një mandat ose më shumë.
“Në projeksionet tona, për një Prishtinë normale, funksionale dhe të barabartë, duhet të mendojmë në horizont prej dhjetë vitesh për të siguruar stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm,” shtoi ai.
Më tej theksoi se vizioni i tij mbështetet në tri shtylla: krijimin e një Prishtine funksionale, zhvillimin e ekonomisë lokale dhe garantimin e barazisë.
“Vetëm përmes zgjidhjeve afatgjata, sipas tij, kryeqyteti mund të vihet në binarë të zhvillimit dhe të rritjes së mirëqenies për qytetarët”.