Burimet i kanë thënë televizionit amerikan, “CBS News”, se Rusia po i ofron Iranit të dhëna të inteligjencës rreth pozicioneve të forcave amerikane.
Ky medium citoi tri burime të paidentifikuara, të afërta me çështjen, përfshirë një zyrtar të lartë amerikan, për të cilin thotë se ka njohuri të drejtpërdrejta për temën, transmeton televizioni BBC.
Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, fillimisht raportoi se Rusia po ofronte të dhëna të inteligjencës për pozicionet e amerikanëve, duke cituar tre zyrtarë të paidentifikuar.
Mediat shtetërore ruse raportuan më herët se zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin ka thënë se Rusia është në dialog me udhëheqësit e Iranit.
Sipas agjencisë “Reuters”, Kremlini refuzoi që të ofronte hollësi, kur u pyet nga gazetarët nëse Rusia është duke e ndihmuar Iranin.
Viteve të fundit, Moska dhe Teherani e kanë thelluar bashkëpunimin, sidomos në fushën e mbrojtjes.
Raportohet se forcat ruse janë duke përdorur në Ukrainë dronë iranianë. Ndër më të përmendurit është modeli “Shahed”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


