Kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, mund të përballet me një pezullim të gjatë pas kartonit të kuq që mori në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Marseille, raporton Diario AS.
Mbrojtësi i djathtë u përjashtua pasi goditi me kokë portierin argjentinas Gerónimo Rulli gjatë fitores 2-1 të madrilenëve. Pas ndeshjes, Carvajal argumentoi se kontakti nuk ishte aq i fortë sa për të justifikuar rrëzimin e kundërshtarit.
Megjithatë, rregullorja e UEFA-s është e qartë. Neni 15 i Kodit Disiplinor e klasifikon goditjen me kokë si sjellje josportive, që sjell pezullim prej një deri në tre ndeshjesh. Nëse gjykohet si akt i dhunshëm, dënimi mund të jetë edhe më i rëndë.
UEFA ka treguar më herët që ndëshkon ashpër raste të ngjashme. Në vitin 2021, Stefan Savic u pezullua katër ndeshje (më vonë u reduktuan në tre) për një goditje me bërryl ndaj Antonio Rüdiger, ndërsa në vitin 2011, Gennaro Gattuso mori pesë ndeshje pezullim për një goditje me kokë ndaj ndihmësit të Tottenham, Joe Jordan.
Carvajal dhe Real Madridi shpresojnë që dënimi të jetë sa më i lehtë, por mbrojtësi me shumë gjasë do të humbasë disa ndeshje të rëndësishme.
Mungesa e tij mund të përfshijë sfidat kundër Kairat, Juventus, Liverpool dhe ndoshta Olympiacos. Situata bëhet edhe më e vështirë për Realin, pasi zëvendësuesi i tij, Trent, pritet të mungojë deri në nëntor ose dhjetor. /Telegrafi/