Calvin Harris akuzon ish-këshilltarin financiar për vjedhjen e 22.5 milionë dollarëve për një projekt të dështuar në Hollywood
DJ-i skocez, Calvin Harris, 41 vjeç, ka akuzuar ish-këshilltarin e tij financiar se i ka vjedhur 22.5 milionë dollarë për të financuar një projekt të dyshimtë të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në Hollywood.
Sipas një kërkese për arbitrazh të depozituar të premten në Gjykatën Supreme të Kalifornisë, e siguruar nga revista PEOPLE, Harris pretendon se Thomas St. John dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar në mënyrë sistematike nga ai përgjatë viteve.
Në kërkesën e tij, ai e akuzon këshilltarin financiar prej 13 vitesh për manipulim dhe për ta detyruar të ndante para për të financuar projektin CMNTY Culture Campus në Kaliforni – një hapësirë që parashikohej të përfshinte studio regjistrimi, sallone për artistë dhe ambiente zyrash.
Avokatët e Harris pretendojnë se St. John kishte nisur të kërkonte investime për këtë projekt që në fillim të vitit 2021, por në vitin 2023 mbeti pa para dhe iu drejtua Harrisit për një ndihmë të menjëhershme financiare.
Sipas padisë, St. John “nuk e zbuloi qëllimin e vërtetë” dhe “nuk dha asnjë kontekst apo informacion”, por thjesht i dërgoi Harrisit dokumente për t’i nënshkruar përmes DocuSign, të cilat ishin “thelbësisht mashtruese.”
Më tej thuhet se Harris përfundoi duke investuar gjithsej 22.5 milionë dollarë në projekt, të ndara në dy pjesë: një huadhënie prej 10 milionë dollarësh dhe një investim në kapital prej 12.5 milionë dollarësh.
Harris – emri i vërtetë i të cilit është Adam Richard Wiles – pretendon se menjëherë pas investimit të tij, Thomas St. John bëri që kompania të transferonte 11.7 milionë dollarë në një entitet që ai vetë e kontrollon.
Avokatët e Harris-it pretendojnë se investimi në pasuri të paluajtshme “ka qenë, në rastin më të mirë, një dështim i plotë, dhe në rastin më të keq, një mashtrim i pastër.”
Ata shtojnë:
“Deri më sot, paditësit nuk e dinë se ku ka përfunduar investimi i tyre dhe për çfarë është përdorur.”
“Në çdo rast, të paditurit nuk kishin asnjë qëllim që z. Wiles të merrte ndonjëherë mbrapsht vlerën e plotë të investimit të tij, qoftë në formën e shpërndarjeve apo në ndonjë mënyrë tjetër.”
“Z. Wiles nuk ka marrë as edhe një qindarkë në këmbim të atij investimi, dhe në fakt, të paditurit nuk e kanë nisur as zhvillimin apo ndërtimin e projektit”.