Çaji i nxehtë nuk shëron: mos e pini as kur është ftohtë, as me dhimbje fyti

Çaji i nxehtë nuk shëron: mos e pini as kur është ftohtë, as me dhimbje fyti

Sipas OBSH, pijet mbi 65°C lidhen me rrezik më të lartë për kancer të ezofagut, prandaj çaji nuk duhet pirë kurrë i vluar

Shumë njerëz besojnë se në ditët e ftohta të dimrit apo kur kanë dhimbje fyti, është më mirë të pinë çaj sa më të nxehtë. Por ky është një gabim i rrezikshëm.


Ekspertët shëndetësorë theksojnë se të gjitha lëngjet dhe ushqimet është më e shëndetshme t’i konsumojmë në temperaturë të vakët, sepse nxehtësia e tepërt irriton mukozën dhe dëmton barrierën natyrale të trupit kundër mikrobeve.

Çaji i vakët është më i mirë

Edhe pse një pije bimore e ngrohtë ndikon qetësues për trupin dhe në dukje lehtëson dhimbjen e fytit, mjekët këshillojnë që asnjëherë të mos konsumohen pije shumë të nxehta, mbi temperaturën e trupit. Kur mukozat irritohen nga vapa, ato bëhen më të brishta dhe mikroorganizmat (baktere, viruse, kërpudha) kanë më pak vështirësi për të depërtuar.

Kur indi i mukozës është i shëndetshëm, ai shërben si barrierë kundër infeksioneve. Por nëse kjo barrierë inflamohet ose dëmtohet nga nxehtësia, mikrobet futen më lehtë në hapësirën ndërqelizore, lidhen me receptorët e qelizave, shumohen dhe dëmtojnë indin. Kështu rritet rreziku për infeksione respiratore, bakteriale ose edhe mykotike, transmeton Telegrafi.

Pse është e rrezikshme të pini çaj shumë të nxehtë?

Dhimbja e fytit përkeqësohet – ashtu si kur vendosim diçka të nxehtë në lëkurë, edhe në mukozën e fytit nxehtësia shton irritimin dhe dhimbjen.

Dëmtime në ezofag – konsumimi i shpeshtë i pijeve shumë të nxehta mund të shkaktojë lezione prekanceroze në mukozën e ezofagut, të cilat lidhen me rrezik të shtuar për kancer të ezofagut. Sipas World Health Organization (WHO, 2016), pirja e pijeve mbi 65°C konsiderohet kancerogjene për ezofagun.

Rrezik në lukth – uji i valë zgjeron enët e gjakut në stomak dhe mund të shkaktojë gjakderdhje mikroskopike, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

Roli i hidratimit

Gjatë ftohjeve ose gripit, është shumë e rëndësishme të pini lëngje për të shmangur dehidratimin, sidomos kur temperatura e trupit rritet. Por ekspertët theksojnë se çdo lëng duhet të merret në temperaturë të moderuar, pasi vetëm kështu ruhet funksioni mbrojtës i mukozës.

As shumë të ftohta, as shumë të nxehta

Ashtu siç nuk rekomandohen pijet e vluara, as pijet e akullta nuk janë të shëndetshme, sepse shoku termik mund të irritojë fytin dhe stomakun. Më e mira është që lëngjet dhe ushqimi të konsumohen në temperaturën e dhomës ose pak të ngrohtë, duke lejuar trupin t’i përthithë pa dëmtim. /Telegrafi/