Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se në spektrin politikë të Kosovës vërehet dukshëm mungesa e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se vendi nuk ka ndonjë figurë unifikuese tani si Rugova.
“Gjithsesi mungon Rugova, mungesa e tij është shumë më e dukshme. Spektri politik i Kosovës sot po shihet prej sjelljes së këtyre tre apo katër muajve se më nuk e kanë interesin e shtetit, e kanë interesin për pushtet të vetit, dhe pushteti i tyre mund të shikohet se prodhon interesa personale, të klaneve, të grupeve dhe të oligarkëve, e të tjera”.
“Andaj, po të ishte një figurë politike dhe unifikuese si Rugova nuk do të kishim këtë gjendje, por për fat të keq ne sot e kemi. Po i kthehem asaj që e thotë Gjergj Fishta: ‘Shqiptarët po sillen si pleshtat’. Faktikisht, ajo logjika e parlamentit të Kosovës dhe e spektrit politikë është logjikë e pleshtave. Kjo do t’i kushtojë Kosovës shumë, ashtu ka filluar t’i kushtojë sepse ne prej një vendi që kishim aleatë të cilët kanë hedhur bomba, tani kemi sanksione”, ka thënë Buxhovi.
The post Buxhovi: Po të ishte Rugova gjallë, Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.