Bumerangu i Hagës

Kosova - nga një histori suksesi, në izolim!

Doruntina Meha

Historia ka ironinë e vet. Gjykata Speciale në Hagë, e menduar nga shumë si fundi i figurave më të rëndësishme të UÇK-së, sot po kthehet në dorë të zgjatur të së vërtetës. Ajo që dikur shihej si një tribunë për ta vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e UÇK-së, po shndërrohet në hapësirë ku, përmes dëshmive dhe dokumenteve, po konsolidohet memoria historike e popullit tonë dhe po rikthehet në vëmendje roli i aleatëve tanë strategjikë.

Në Hagë nuk po flasin vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së. Po dëshmojnë edhe njerëz që kanë qenë afër vendimeve historike: ish-zyrtarë amerikanë, këshilltarë ligjorë, bashkëpunëtorë ndërkombëtarë që njohin nga afër kontekstin e ndërhyrjes së Perëndimit. Njëri prej tyre, ish-ndihmës sekretari amerikan James Rubin, dha një mesazh të prerë: ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një incident i rastësishëm, por një proces politik dhe ushtarak, ku ndërhyrja ndërkombëtare sidomos e ShBA-së dhe e NATO-s ishte vendimtare për të ndalur spastrimin etnik. Dëshmi të tilla e vendosin luftën e UÇK-së brenda një kornize të qartë: kush luftoi, pse u luftua dhe çfarë sakrifice u bë për shtetin që kemi sot.

Në planin e brendshëm, kjo na shtyn të pyesim: çfarë kuptimi ka ky proces për qytetarin e zakonshëm në Kosovë? Për shumicën, përgjigja është e hidhur. Institucionet shtetërore nuk u qëndruan pranë atyre që sot mbahen në Hagë. Për pesë vjet me radhë mungoi një zë i qartë shtetëror, munguan garancitë, mungoi angazhimi për mbrojtje. Kur shtetet si Shqipëria, Kroacia apo Turqia ofruan letra garance për të akuzuarit, institucionet tona heshtën. Madje, edhe financiarisht – u shkurtuan mjetet për mbrojtjen juridike. Heshtja u bë politikë shtetërore dhe ky mesazh u lexua qartë si nga qytetarët tanë, ashtu edhe nga aleatët ndërkombëtarë.

Kjo sjellje ka një pasojë të drejtpërdrejtë: krijon hendek mes sakrificës së kaluar dhe papërgjegjësisë së sotme. Paradoksi është i madh. Ata që dikur, nga mali, arritën të ndërtojnë ura miqësie me Amerikën dhe Evropën, sot janë zëvendësuar nga një pushtet që, nga zyra, po i djeg ato ura një nga një. UÇK-ja e dinte se pa aleatë nuk kishte as liri e as shtet. Sot, një qeveri e tërë sillet sikur Kosova është e vetëmjaftueshme, sikur kufijtë i ruajmë vetë, sikur zhvillimi financiar nuk varet nga askush tjetër, sikur bota duhet të përshtatet me ne. Ky iluzion i vetëmjaftueshmërisë jo vetëm që është i rrezikshëm, por edhe i papërgjegjshëm. Miqësia me ShBA-në dhe Perëndimin nuk është luks simbolik – është oksigjeni i shtetit tonë.

Ironia historike është se Gjykata në Hagë po shndërrohet në tribunë që e forcon figurën e UÇK-së. Aty po dokumentohet jo një mit, por një realitet historik – UÇK-ja si aktor vendimtar në ndaljen e spastrimit etnik dhe në krijimin e shtetit. Dhe, kur këtë histori e vërtetojnë zyrtarë ndërkombëtarë me peshë, propaganda e brendshme humb çdo kuptim.

Në javët dhe muajt në vazhdim pritet të dëshmojnë edhe bashkëpunëtorë të tjerë të UÇK-së, deri te gjenerali Wesley Clark. Të gjithë ata flasin me respekt për djemtë që nga mali udhëhoqën një luftë dhe bindën botën për ndërhyrje. Dhe, mbi të gjitha, për rolin e Hashim Thaçit i cili nga Rambujeja e lidhi përfundimisht fatin e Kosovës me Amerikën. Ky është një fakt historik që nuk mund të zhbëhet as nga propaganda e ditës e as nga heshtja e institucioneve.

Në fund, Haga është kthyer në bumerang: gjykata që u mendua si mbyllje, sot po e kthen në dëshmi të pathyeshme se UÇK-ja ishte dhe mbetet kapitulli më i ndritshëm i historisë sonë të re.