Kiks Kosova ia mësyu Rahovecit, jo me traktor, por me kamerë.
Në pasditen e së mërkurës, bujqit e fshatit Bërnjak nuk ishin në ara, por në rrugë.
Ata protestuan në udhëkryqin që dikur i çonte drejt tokave të tyre e që tashmë është bllokuar.
Prej një jave, kjo rrugë nuk u shërben më për qasje.
Nga shtëpia në arë tani duhet të bëjnë rrethrrotullime të gjata me më shumë harxhim kohe e nafte.
Fajin, bujqit ia adresojnë Komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat sipas tyre po i favorizojnë bizneset private.
Në vetëm 200 metra, janë ndërtuar dy rrethrrotullime, por për bujqit as semafor, e as zgjidhje.
Kiks Kosova kërkoi ta takojë kryetarin Smajl Latifi, por ai nuk ishte në zyrë.
Përmes telefonit, Latifi tha se është për lehtësimin e qasjes për bujqit, por rruga në atë pjesë është në një ” teposhtëze”, prandaj s’është paraparë rrethrrotullim.
Ai shtoi se bujqit i konsideron si “shokë e jo të huaj”, duke aluduar se ndoshta ka pasur keqkuptime në komunikim.
Sipas tij, projekti është hartuar nga ekspertët e Ministrisë, por komuna ka dërguar një kërkesë për ndërtimin e një rrethrrotullimi dhe janë në pritje të një përgjigjeje.
E njëjta përgjigje erdhi edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Përparim Krasniqi, që ka përgjegjësi për infrastrukturën komunale.
Por a e ka parë drejtori projektin para nisjes së punimeve?
Sipas tij, banorët kanë dorëzuar një kërkesë për këtë çështje, dhe komuna e ka përcjellë në ministri.
Për të kuptuar më shumë, Kiks Kosova kontaktoi edhe zëvendësministrin në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ai hodhi poshtë përgjegjësinë, duke thënë se ndonëse projekti është financuar dhe mbikëqyrur nga ministria, hartimin e tij e ka bërë komuna.
Sipas tij, deri më tani, në adresën e tij nuk ka mbërritur ndonjë ankesë zyrtare nga banorët për këtë çështje.
Derisa institucionet ende fajësojnë njëra-tjetrën për një rrethrrotullim, bujqit e Bërnjakut vazhdojnë të mbesin pa qasje në tokat e tyre. E kjo po ndodh pikërisht në kohën më të ngarkuar të sezonës bujqësore.
The post Bujqëve të Rahovecit iu bllokohet rruga për në ara, lajmërohet Hysen Durmishi (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.