Aeroplanët luftarakë dhe asetet ushtarake të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) po dërgohen drejt Lindjes së Mesme, pasi Irani paralajmëroi Britaninë e Madhe dhe aleatët e saj se bazat rajonale do të jenë në shënjestër nëse ndihmojnë Izraelin në konfliktin në rritje mes dy vendeve me armatim të rëndë, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë një deklarate për gazetarët në rrugën për në samitin G7 në Kanada, kryeministri britanik Keir Starmer nuk përjashtoi mundësinë e ofrimit të mbështetjes ushtarake për Izraelin, ndryshe nga qëndrimi i tij tetorin e kaluar gjatë një sulmi balistik nga Teherani.
Starmer bëri të ditur se Britania e Madhe nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt në veprime ushtarake që prej fillimit të sulmeve izraelite të premten, por shtoi se po zhvendosin asete, përfshirë aeroplanë luftarakë, në rajon si mbështetje emergjente për stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.
Ai gjithashtu refuzoi të komentonte mbi raportet që Britania nuk kishte marrë njoftim paraprak për sulmet izraelite që shkaktuan përshkallëzimin më të madh të përplasjeve mes Tel Avivit dhe Teheranit në dekada.
“Diskutojmë intensivisht me aleatët tanë dhe me SHBA-në, por nuk do të hyj në detaje për informacionin që kemi,” tha Starmer, duke theksuar se rrjedha e informacionit mes aleatëve vazhdon në mënyrë të pandërprerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!