Maqedonia është e gatshme të bëhet lider rajonal dhe një shembull referimi për një tranzicion të drejtë energjetik në Ballkanin Perëndimor. Kjo u theksua nga Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në video-fjalimin e saj në eventin global të profilit të lartë Boosting Coutry-Led Energy Transformations që po zhvillohet në Kartagena të Kolumbisë.
“Qëllimi ynë është i qartë dhe pa mëdyshje – një tranzicion i shpejtë që do të jetë i drejtë për çdo punëtorë dhe çdo komunitet që sot varet nga industria e qymyrit”, tha Bozhinovska, duke nënvizuar se vendi është i vendosur të tregojë se ambiciet klimatike mund të kombinohen me zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike.
Ajo theksoi se Qeveria tashmë miratoi një Plan investimesh për tranzicion të përshpejtuar nga qymyri, i përpunuar në partneritet me BERZH-in, IFC dhe Bankën Botërore. Plani, shtoi, parashikon investime të mëdha në burimet e energjisë së rinovueshme, një rrjet modern i energjisë elektrike dhe krijimin e vendeve të reja të punës të gjelbra.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska kujtoi lansimin e Platformës së tranzicionit të drejtë të energjisë në KOP28 e cila synon të krijojë zgjidhje të lokalizuara për mbi 5,000 njerëz që varen drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte nga industria e qymyrit.
Në të njëjtën kohë, delegacioni i Ministrisë së Energjetikës po merr pjesë aktive në diskutimet mbi platformën e re globale Clean Energy Learning Laboratory (CELL) e cila do të mundësojë shkëmbimin e njohurive dhe qasjen në modele inovative financimi për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së pastër.
“Maqedonia ka ambicie të mëdha. Suksesi i tranzicionit tonë do të jetë dëshmi se edhe qëllimet më të guximshme klimatike mund të shndërrohen në realitet, nëse ka një vizion të qartë, partneritet dhe guxim”, theksoi Bozhinovska.