Me rikthimin e kryetarëve serbë në krye të katër komunave veriore të Kosovës, po shënohen zhvillime të reja atje.
Gazetari korrespodent i Klan Kosovës, Urall Boshnjaku ka bërë të ditur se kryetari i ri i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, i dalë nga radhët e Listës Serbe, ka filluar largimin e stafit shqiptar nga administrata komunale, transmeton Klankosova.tv.
“Me kthimin e kryetarëve serbë në krye të katër komunave veriore, kemi zhvillime të reja. Të katër kryetarët vinë nga radhët e Listës Serbe dhe kanë fituar në zgjedhjet lokale, por duket që kanë ardhur me një vrull të akumuluar nga këto vite që nuk ishin në krye të komunave, meqë me të ardhur në pushtet”, tha Boshnjaku në “Ora Shtatë”.
Sipas tij, vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, kryetari i ri i Zveçanit ka ndërmarrë hapa konkretë ndaj stafit shqiptar në komunë.
“Fiks një muaj më pas, kryetari i ri i Zveçanit ka filluar me pastrimin e personelit shqiptar nga komuna”, u shpreh Boshnjaku në Klan Kosova.
Ai shtoi se dje (14 janar) është ndërprerë marrëdhënia e punës me dy punonjës shqiptarë, të angazhuar në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë.
“Ai ka ndërprerë dje marrëdhënien e punës me dy personel shqiptarë të cilët ndodheshin të angazhuar në drejtorinë për shërbime publike dhe infrastrukturë. Pas largimit nga puna të këtyre dy shqiptarëve, ai ka thënë se po shohin mundësi për të angazhuar staf më profesional, meqë buxheti i komunës nuk lejon kaq shumë staf administrativ”, deklaroi gazetari.
Ndërkohë, lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili ka theksuar se nuk do t’i lejojë këto largime nga puna.


