Mjekët dhe infermierët e QKUK-së nuk janë paguar për kujdestaritë e mbajtura gjatë muajit mars, njësoj siç kishte ndodhur edhe në shkurt.
Për këtë ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, e cila e kishte ngritur të njëjtën çështje edhe muajin e kaluar.
Lidhur me situatën ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, e cila e ka cilësuar mospagesën e kujdestarive si të papranueshme dhe si neglizhencë institucionale.
Në reagimin publik, sindikata thekson se kujdestaritë janë një obligim i rregullt dhe i planifikuar në sistemin shëndetësor, dhe jo një shpenzim i paparashikuar.
“Mosrealizimi i pagesave në kohë dëshmon për një neglizhencë të qartë institucionale, në përpunimin e listave, në aprovimet administrative apo në transferin e mjeteve financiare. Ky dështim nuk mund të arsyetohet ndryshe përveçse me mungesë efikasiteti dhe përgjegjësie nga strukturat përkatëse”.
Kështu, shteti u mbetet borxh mjekëve dhe infermierëve për pagesën e kujdestarive për dy muaj./Klankosova.tv
Sindikalistët e QKUK-së kërkojnë urgjentisht pagesat e kujdestarive: Kjo është e papranueshme


