Bombardimet izraelite godasin dy shkolla refugjatësh në Gaza, raportohet për viktima

news image

Dy shkolla të drejtuara nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), të cilat shërbenin si strehë për civilët, janë goditur nga bombardimet izraelite në kampin e refugjatëve Shati, në veri të Rripit të Gazës.

Lajmi është raportuar nga rrjeti Al Jazeera, i cili thekson se sulmi ndodhi vetëm pak minuta pasi ushtria izraelite kishte bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar për numrin e viktimave, por dëshmitarë në terren raportojnë për të vrarë dhe të plagosur mes të zhvendosurve që ishin strehuar në ambientet e shkollave.

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se mbi 250 mijë banorë të Gazës janë larguar nga qyteti për arsye sigurie. Sipas një deklarate të zëdhënësit të IDF në gjuhën arabe, Avichay Adraee, civilët po nxitohen të zhvendosen drejt zonës humanitare në Al Mawasi dhe pjesëve qendrore të Rripit të Gazës, ku “mund të përfitojnë ndihmë më të mirë humanitare, përfshirë shërbimet shëndetësore”.

“IDF është e vendosur të shkatërrojë Hamasin në Gazë dhe për këtë arsye po intensifikon ofensivën”, thuhet në njoftim.

Por paralelisht, agjencitë ndërkombëtare po paralajmërojnë për një krizë humanitare gjithnjë e më të rëndë, duke theksuar se shumë civilë nuk kanë ku të shkojnë për shkak të mungesës së sigurisë dhe kushteve minimale për mbijetesë.

Sipas raportimeve të Al Jazeera, të paktën katër palestinezë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit në zonën qendrore të Wadi Gaza, teksa ndodheshin në kërkim të ndihmave humanitare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/