Mediumi amerikan “Bloomberg” ka bërë një shkrim për letrën që presidenti amerikan, Donald Trump për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes kësaj letre, Trump e falënderoi Kosovën për pranimin e përkohshëm të migrantëve të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë si një shenjë të “bashkëpunimit të fortë,” sipas presidentes së Kosovës.
Presidentja Osmani, tha se ka marrë një letër nga Trump, në të cilën ai gjithashtu shprehu dëshirën për thellimin e marrëdhënieve “në vitet e ardhshme”.
“Në qershor, Kosova pranoi një kërkesë të SHBA-ve për të strehuar përkohësisht deri në 50 shtetas të vendeve të treta në vit, të cilët nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ky vendim u përball me disa kritika brenda vendit, por u paraqit nga Prishtina si një dëshmi e aleancës strategjike me Uashingtonin”,shkruan “Bloomberg”.
Departamenti Amerikan i Shtetit është në kërkim të vendeve të reja që pranojnë të deportuar, pjesërisht për shkak se qendrat e ndalimit brenda ShBA-së janë të shtrenjta për t’u menaxhuar dhe shpesh kanë mungesë kapaciteti. Kosova i bashkohet një liste në rritje të vendeve që marrin pjesë në planin e administratës Trump, përfshirë së fundmi edhe Eswatinin dhe Sudanin e Jugut.
“Sipas Institutit të Politikave të Migracionit, një institut studimor në Uashington, rreth 1.5 milionë persona në SHBA kanë urdhra deportimi që nuk janë ekzekutuar, shpesh sepse vendet e tyre të origjinës nuk pranojnë t’i kthejnë”, shkruan tutje mediumi amerikan “Bloomberg”.
The post “Bloomberg”: Trump falënderon Kosovën për pranimin e të deportuarve nga ShBA-ja appeared first on Klan Kosova.