Bllokimi në Kuvend: Presidentja nesër i dërgon komentet në Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarëve

Bllokimi në Kuvend: Presidentja nesër i dërgon komentet në Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarëve

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nesër do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Kështu ka konfirmuar për Klankosova.tv këshilltari për media Bekim Kupina.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator”, deklaroi ai për Klankosova.tv.

Kupina theksoi se qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin.

“Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, theksoi Kupina.

Derisa të premten, Kushtetuesja e aprovoi kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025.

Sipas këtij aktvendimi, masa e përkohshme ka për qëllim të ndalojë rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar në një nga aktgjykimet e mëhershme të Kushtetueses.

The post Bllokimi në Kuvend: Presidentja nesër i dërgon komentet në Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarëve appeared first on Klan Kosova.