Bllokada në Kuvend: Ambasadorët kërkojnë respektimin e Kushtetutës dhe themelimin e institucioneve

news image

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, kanë zhvilluar të enjten takime me kryetarin e porsazgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ku diskutuan zhvillimet politike dhe ngërçin lidhur me konstituimin e organit ligjvënës.

Ambasadori britanik e uroi Bashën për postin e tij dhe nënvizoi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt.

“U pajtuam mbi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese,” shkroi Hargreaves në Facebook, duke theksuar nevojën për përfshirje të komuniteteve të të gjitha grupeve etnike.

Basha, i cili shpalli njëanshëm të përfunduar seancën konstituive të Kuvendit të dielën, nuk arriti të zgjidhte nënkryetarin e pestë nga komuniteti serb, për çka pati kritika nga partitë e tjera parlamentare. Nga pesë nënkryetarët që kërkon Kushtetuta, katër u zgjodhën – tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe – ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk mori votat e nevojshme.

Kuvendi në njoftimin e tij për takimin me Hargreaves theksoi se kryetari e informoi ambasadorin “për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit”.
Ndërkohë, Basha shkroi në Facebook:

“Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për përfundimin e seancës konstituive të Kuvendit.”

Hargreaves shtoi se shpreson që ngërçi politik të zgjidhet shpejt, në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të vazhdojnë punën jetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ai nënvizoi rëndësinë e konsultimit të mirëfilltë me komunitetin serb për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë kosovare.

Ndërkaq, takimi i Bashës me shefin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u fokusua te nevoja për respektimin e proceseve kushtetuese dhe krijimin e institucioneve gjithëpërfshirëse dhe shumetnike.

“Kryetari dhe përfaqësuesi i BE-së diskutuan lidhur me ngjarjet e fundit politike në Kosovë dhe biseduan për rëndësinë e një legjislature efektive për realizimin e politikave integruese në BE.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Orav shkroi në X: “BE-ja është këtu për të mbështetur Kosovën. Formimi i komiteteve qeveritare dhe parlamentare është kyç për avancimin e Planit të Rritjes. Bllokada politike pas zgjedhjeve të shkurtit po i kushton vendit miliona euro nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/