Prishtina e ka fituar kryederbin ndaj Ballkanit, skuadër që e shijoi humbjen e parë pas plot tetë xhirove në Superligën e Kosovës.
“Bardhëkaltërit” fituan në “frymën e fundit” me rezultat 1-0 falë golit të Blend Baftiut, sfidë që ishte mjaftë e baraspeshuar deri në fund.
Ballkani ishte skuadër më kërkuese, ku krijuan më shumë aksione si dhe mbajtën posedimin, por që edhe “bardhëkaltërit” lehtë mund t’i ndëshkonin me disa kundërsulme.
Kur të gjithë prisnin që dy ekipet të ndajnë pikët, në skenë doli Kryeziu që hyri brenda zonës dhe goditi portën, kurse nga top i kthyer përfitoi Baftiu, që realizoi nga afërsia (90+7′).
Ballkani gjithashtu kishte një mundësi për ta barazuar vetëm një minutë më vonë, por që Prishtina shpëtoi duke e larguar topin nga vija e portës.
Kësisoj, Prishtina mbetet lideri aktual në Superligën e Kosovës me 19 pikë, katër mbi Ballkanin që zë pozitën e dytë./Telegrafi/