Edhe blegtorë e bujq në Rogovë të Hasit po merren me punët e stinës. Ata po korrin misrin dhe po e konservojnë silazh për ushqimin e bagëtive. Në Rogovë janë 13 fermerë të mesëm e të vegjël që merren me bagëti, ndërsa kanë dëshirë që ta rrisin numrin e krerëve të gjedhëve dhe bagëtive të imta, nëse AKP ua mundëson shfrytëzimin e tokave të paraardhësve të tyre që me dekada nuk mund t`i mbjellin dot.
Rogova e Hasit mbjell gjithsej mbi 50 mijë hektarë tokë bujqësore, ndërsa shumicën e sipërfaqes e orienton në sigurimin e ushqimit për blegtorinë.
Tani është koha e korrjes dhe konservimit të misrit për ushqimin e bagëtive. Në Rogovë, janë 13 blegtorë, ndërsa dëshira e tyre për t’u marrë më blegtori është e madhe.
“Jemi prodhues të qumështit, në sektorin e qumështit jemi prodhues ditor diku rreth 800 litra në ditë, kemi si tufë të lopëve të mëdha e të vogla diku 70 copë, jemi të përfshirë e gjithë familja 10 anëtarësh që merremi me këtë veprimtari, kultivojmë drithëra zakonisht, misër për silazh edhe për kokërr edhe gruri, i kemi rreth 50 hektarë krejt që i punojmë, për misër i kemi diku 26 hektarë dhe jemi diku te 50 tonë për hektarë”, tha Nazim Berisha, fermer i Rogovës.
Shafi Shala ka në pronësi rreth 200 copë dele që kujdeset i vetëm për ta. Këtë viti Shala ka planifikuar që rreth 2.4 hektarë me misër t’i përgatisë si ushqim për tufën e tij të deleve.
“Me këto kushte nuk është keq, mirë është, u ka hypë vlera edhe këtyre, nuk është keq, dy hektarë e 40 ari po i bëj silazh, për gjithë dimrin boll është, tash me kombajna e krejt këto po kushton, por po ia vlen”, tha Shala.
Me gjithë dëshirën që kanë për të rritur numrin e bagëtive, rogovasit nuk po mund ta bëjnë këtë, për shkak se një sipërfaqe e madhe e tokës në kufijtë administrativ menaxhohet nga AKP.
“Gjithsej në Rogovë janë të kontestuara 460 hektarë, që kanë qenë të gjyshit tim dhe gjithë fshatarëve tonë, tash as nuk kanë dalë në privatizim, sivjet kemi hy në kontrata me i marr me qira prej AKP-së, por sa do të kemi sukses, nuk e di”, shtoi Berisha.
E kjo situatë e sigurimit të kullotave, ua pamundëson atyre rritjen e numrit të bagëtive.
“Fermerëve të Rogovës iu kufizohet edhe rritja e numrit të bagëtive, si ato të imta po ashtu edhe gjedhët, sepse nuk i lejon hapësira e fermave dhe e stallave, unë kisha kërkua gjithmonë nga drejtoria e bujqësisë dhe ministria e bujqësisë që meqë e kanë këtë tokë shumë pjellore, ti shohin me një sy tjetër”, tha Valon Kryeziu, përfaqësues i fshatit Rogovë.
Sidoqoftë, të gjithë fermerët e Rogovës së Hasit, po merren me punët e stinës, me qëllim që të jenë gati për dimërimin e bagëtive të tyre.