Blakaj (FDH): Aktakuza e Prokurorisë Speciale e rëndësishme – përfshin dëbimet gjithandej Kosovës

Blakaj (FDH): Aktakuza e Prokurorisë Speciale e rëndësishme – përfshin dëbimet gjithandej Kosovës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 gusht ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Për këtë çështje, në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës ka folur Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), i cili tha se, sipas asaj që është bërë e ditur në konferencën për media, përgatitja e kësaj aktakuze ka zgjatur më shumë se pesë vite.

Aktakuzën ai e cilësoi si të rëndësishme, pasi sipas tij përfshin dëbimet e popullsisë civile që ndodhën në shumë pjesë të Kosovës gjatë luftës së fundit.

“Në bazë të konferencës kemi kuptuar që mbi 5 vite është duke u punuar në përgatitjen e këtij akti. Ju keni të drejtë edhe pse Masakra e Mejës ka një numër shumë më të madh të të akuzuarve. Megjithatë, kjo aktakuzë e fundit përfshin krime të dëbimit që kanë ndodhur gjithandej Kosovës, dhe po, që është e rëndësishme”, ka thënë Blakaj.

Ai shprehu shpresën që Prokuroria ka siguruar prova edhe nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.

“Unë shpresoj që Prokuroria të ketë gjurmuar dhe të ketë marrë prova edhe nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, sepse në të tri rastet ndaj zyrtarëve të lartë politikë, policorë dhe ushtarakë të Serbisë që ishin akuzuar para Tribunalit, si element i njërit prej krimeve të luftës ka qenë edhe dëbimi i qytetarëve.”

“Madje, unë mendoj që në rastin, sidomos ndaj Millutinoviqit dhe të tjerëve, pra ky krim është dëshmuar jashtëzakonisht mirë. Në fakt, ata janë fokusuar më shumë në nëntë komuna, që nga Mitrovica, Vushtria, Skenderaj, Malisheva, Peja, Gjakova, Rahoveci e kështu me radhë. Pra, në mënyrë të jashtëzakonshme para Tribunalit të Hagës është dëshmuar që dëbimi masiv i shqiptarëve ka qenë i mirëorganizuar dhe i mirëplanifikuar dhe, për fat të keq, edhe i ekzekutuar”, tha Blakaj. /Klankosova.tv

The post Blakaj (FDH): Aktakuza e Prokurorisë Speciale e rëndësishme – përfshin dëbimet gjithandej Kosovës appeared first on Klan Kosova.