Blair ofrohet të udhëheqë Gazën, sipas modelit të Kosovës

Blair ofrohet të udhëheqë Gazën, sipas modelit të Kosovës

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është ofruar të marrë drejtimin e përkohshëm të Gazës pas përfundimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Sipas mediave ndërkombëtare, Blair tashmë ka përgatitur një plan nëpërmjet institutit të tij, “Tony Blair Institute for Global Change (TBI)”, për menaxhimin e periudhës së pasluftës.


Një nga opsionet që po shqyrtohet është krijimi i një administrate kalimtare ndërkombëtare të ngjashme me atë që u zbatua në Kosovë pas vitit 1999. Ky model parashikon kalimin e gradual të pushtetit tek institucionet lokale, në këtë rast Autoriteti Palestinez (AP), pasi të jetë reformuar.

Sipas “The Guardian”, Blair ka propozuar udhëheqjen e një administrate të përkohshme në Gaza, që më vonë do ia dorëzonte pushtetin AP-së, transmeton Telegrafi.

Propozimi i tij ka marrë mbështetjen e disa figurave të afërta me presidentin amerikan, Donald Trump, përfshirë dhëndrin e tij, Jared Kushner, dhe emisarin Steve Witkoff. Në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht, këta të fundit i kanë paraqitur Trumpit idenë e përfshirjes së Blairit në këtë rol.

Blair, që më parë ka shërbyer si emisar special i Kuartetit për Lindjen e Mesme (OKB, SHBA, BE dhe Rusia), është i gatshëm të “sakrifikojë kohën” për të kontribuar në përfundimin e konfliktit dhe ndërtimin e paqes në Gaza, sipas burimeve për “The Economist”. Trump e ka përkrahur planin dhe e ka paraqitur atë në bisedime me liderë nga Turqia, Pakistani, Indonezia dhe pesë shtete arabe në OKB.

– YouTube www.youtube.com

Plani i Blair parashikon krijimin e një strukture të quajtur “Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën (GITA)”, i cili do të vendosej nga OKB-ja dhe do të funksiononte për disa vite. Kjo trupë do të kishte autoritetin suprem politik dhe ligjor gjatë tranzicionit dhe do të përfshinte përfaqësues palestinezë, zyrtarë të OKB-së, ekspertë ekonomikë dhe përfaqësues nga shtete myslimane.

Në këtë plan, Gaza dhe Bregu Perëndimor do të ribashkoheshin, me synimin që kontrolli përfundimtar t’i kalojë Autoritetit Palestinez, me mbështetjen e Arabisë Saudite, të cilën SHBA e sheh si kyçe për suksesin e projektit. Princi i kurorës saudite, Mohamed bin Salman, ka kërkuar që çdo zgjidhje e pasluftës të çojë drejt krijimit të një shteti palestinez, gjë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar.

Sipas anketimeve të realizuara nga TBI, më shumë se 25 për qind e palestinezëve në Gaza e preferojnë përfshirjen ndërkombëtare në qeverisje, ndërsa një e treta mbështesin rikthimin e Autoritetit Palestinez.

Presidenti Mahmoud Abbas ka deklaruar se administrata e tij është e gatshme të marrë përgjegjësinë për sigurinë dhe qeverisjen në Gaza, pa përfshirjen e Hamasit. Megjithatë, Hamasi kërkon të ketë një rol joushtarak, përfshirë në sektorin e arsimit.

Nga ana tjetër, Izraeli ka refuzuar që AP-ja të ketë rol në Gazë, por është angazhuar “në mënyrë konstruktive” për shqyrtimin e planeve ndërkombëtare. Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka sugjeruar që Gaza mund të shndërrohet në një zonë zhvillimi ekonomik dhe ka deklaruar se janë duke u zhvilluar bisedime me SHBA-në për ndarjen e territorit.

Përvoja e Blairit në rajone pas konflikti, si Kosova dhe Lindja e Mesme, shihet si një përparësi në këtë përpjekje. Ai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe ka vizituar vendin disa herë pas luftës. /Telegrafi/