Një grup prej 52 të burgosurish politikë janë liruar nga burgjet e Bjellorusisë si pjesë e një marrëveshjeje mes liderit autoritar Alexander Lukashenko dhe presidentit amerikan Donald Trump, raporton BBC.
Në mesin e tyre janë drejtues sindikatash, gazetarë dhe aktivistë, ndërsa më shumë se 1,000 të burgosur të tjerë mbeten ende në qeli.
Në këmbim, SHBA-ja ka njoftuar se do të lehtësojë disa nga sanksionet ndaj linjës ajrore bjelloruse Belavia, duke i lejuar të blejë pjesë për avionët e saj. Lukashenko e përshkroi lirimin si një “gjest humanitar” pas takimit me të dërguarin special të Trump, John Coale, në Minsk.
Ai deklaroi se “Amerikanët po mbajnë një qëndrim shumë konstruktiv ndaj të ashtuquajturve të burgosur politikë. Ne nuk kemi nevojë për të burgosur politikë apo për ndonjë të burgosur tjetër.”
Lirimi i të burgosurve vjen në prag të stërvitjeve ushtarake mes Bjellorusisë dhe Rusisë dhe pas tensioneve me Poloninë dhe BE-në, për shkak të incidenteve të fundit ajrore dhe dronëve.
Ndër të liruarit janë filozofi Vladimir Matskevich, gazetari Igor Losik dhe figura opozitare Mikola Statkevich. Kjo është pjesë e një procesi që ka liruar gjithsej 314 të burgosur që nga korriku i vitit 2023, sipas Human Rights Watch.
SHBA-ja dhe Bjellorusia po diskutojnë gjithashtu për rifillimin e marrëdhënieve ekonomike, përfshirë rihapjen e Ambasadës amerikane në Minsk, e cila u mbyll në shkurt 2022 për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!