Bitcoin-i mund të bëhet shtylla kurrizore e ekonomisë globale

Bitcoin-i mund të bëhet shtylla kurrizore e ekonomisë globale

Nga: Luke Xie / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Bitcoin-i është bërë zyrtarisht pjesë e rrjedhës kryesore.


Ky aset dixhital tani ndodhet në bilancet e kompanive publike, është themeli i fondeve të tregtuara në bursë – me rritjen më të shpejtë – dhe madje ka hyrë edhe në rezervat strategjike të qeverive. Lojtarët më të fuqishëm në financë po e trajtojnë Bitcoin-in si një aset serioz rezervë.

Tani është duke ndodhur një ndryshim më i thellë.

Institucionet, disa prej të cilave tani mbajnë pozicione të mëdha në Bitcoin, po përpiqen të shndërrojnë zotërimet e tyre të kriptomonedhave në kapital qarkullues dhe produktiv. Kostoja e mundësisë është shumë e lartë për t’u injoruar.

Forcat e brendshme teknike të Bitcoin-it, të kombinuara me interesin e institucioneve për suksesin e tij, e vendosin atë në pozicionin për t’u zhvilluar në një infrastrukturë thelbësore që fuqizon tregjet globale.

Në financë, asnjë aset nuk mbetet i paaktivizuar për shumë kohë.

Sapo një aset futet në bilancet institucionale, pyetja që lind në mënyrë të pashmangshme është: Si mund të vihet në punë për të gjeneruar edhe më shumë të ardhura?

Paraja jepet hua për të gjeneruar interes. Obligacionet shtetërore përdoren si kolateral dhe ripërdoren në transaksione që arrijnë në triliona dollarë çdo ditë. Edhe floriri, që dikur thjesht ruhej, është shndërruar në bazë për tregjet e huadhënies dhe kreditit.

Bitcoin-i do të ndjekë të njëjtën trajektore. Ai është zhvilluar në një aset rezervë që mbahet nga kompanitë, fondet e investimit dhe qeveritë. Dhe, megjithatë, shumica e tij thjesht qëndron aty, plotësisht i paaktivizuar. Me investitorët që kërkojnë efikasitet nga çdo dollar, do të rritet presioni që këto zotërime të prodhojnë vlerë.

Së shpejti, edhe Bitcoin-i do të përdoret për të dhënë hua, për të marrë hua dhe për të kryer transaksione në shkallë të gjerë, duke gjeneruar kthim për huadhënësit dhe duke e bërë më të thjeshtë zgjidhjen e transaksioneve globale. Institucionet, të motivuara nga kostoja e mundësisë së Bitcoin-it të tyre të papërdorur, tashmë kanë filluar të zhvillojnë operacionet e tyre në kriptomonedha dhe të mësojnë si të ndërveprojnë me këtë valutë.

Sapo institucionet të fillojnë të përdorin – jo vetëm të mbajnë – Bitcoin-in e tyre, do të kuptojnë se dizajni i tij unik e bën atë themelin ideal për likuiditetin global.

Rezervat më të mira janë ato që mund të besohen, të transferohen dhe të vlerësohen në mënyrë të qëndrueshme nëpër kufij dhe me kalimin e kohës. Obligacionet amerikane [U.S. Treasuries] kanë shërbyer prej kohësh për këtë qëllim, sepse janë likuide, të mbështetura nga besimi i plotë i qeverisë amerikane dhe të pranuara kudo si kolateral i besueshëm.

Bitcoin-i sjell një grup tjetër, por po aq të fuqishëm, karakteristikash. Furnizimi i tij është i fiksuar, ndaj nuk mund të zhvlerësohet sipas dëshirës. Është global nga natyra, lëviz lirshëm nëpër juridiksione pa pasur nevojë për banka apo qendër kliringu. Çdo njësi mund të auditohet në një regjistër publik, duke reduktuar mungesën e transparencës që e karakterizon financën tradicionale. Dhe, ndryshe nga asetet sovrane, Bitcoin-i nuk ka rrezik për mos pagesë dhe nuk është i ekspozuar ndaj politikave fiskale apo vendimeve politike të një shteti të vetëm.

Pikërisht këto cilësi, që dikur e bënin Bitcoin-in interesant, tani e bëjnë atë në veçanti të përshtatshëm për të shërbyer si bazë e likuiditetit në një ekonomi dixhitale. Ato e pozicionojnë atë si kandidat për t’u bashkuar me – dhe përfundimisht për të rivalizuar – asetet që aktualisht mbështesin tregjet globale.

Institucionet tashmë po e planifikojnë këtë të ardhme. Disa kanë marrë hua duke përdorur rezervat e tyre në Bitcoin, si kolateral, të tjerët po e eksplorojnë Bitcoin-in si kolateral në tregjet e kreditit, dhe kompanitë e pagesave po eksperimentojnë me zgjidhjen e menjëhershme të transaksioneve ndërkufitare. Meqenëse çdo rezervë mund të auditohet në një regjistër publik, Bitcoin-i ofron një transparencë që rrallëherë është arritur në financën tradicionale – një kontrast i fortë me levat e fshehura që çuan në kolapsin e bankave në vitin 2008.

Sfida është se si të bëhen këta hapa të hershëm, të qëndrueshëm në shkallë të gjerë.

Një mënyrë premtuese për ta bërë Bitcoin-in vërtet produktiv është përmes Stablecoin-it Një Stablecoin është thjesht një token dixhital i krijuar për të ndjekur vlerën e një aseti të qëndrueshëm (zakonisht dollarit amerikan). Shumica mbështeten nga parat kesh ose borxhet afatshkurtra të qeverisë.

Stablecoin-ët e mbështetur nga Bitcoin-i funksionojnë ndryshe: ato e përdorin Bitcoin-in si kolateral për të emetuar dollarë dixhitalë drejtpërdrejt në zinxhir [on-chain].

Përparësitë janë të dyfishta. Së pari, rezervat mund të verifikohen në kohë reale duke eliminuar mungesën e transparencës që ka ndjekur si bankat tradicionale ashtu edhe eksperimentet e hershme të kriptomonedhës. Së dyti, meqë kolaterali është Bitcoin dhe jo para të depozituara në bankë, Stablecoin-ët nuk janë të ekspozuar ndaj të njëjtave rreziqe – si falimentimet bankare, ndryshimet rregullatore apo levat e fshehura. Ato ofrojnë likuiditetin që u nevojitet institucioneve, pa sakrifikuar transparencën dhe qëndrueshmërinë që e bëjnë Bitcoin-in të vlefshëm që në fillim.

Ky model bashkon eksperimente të ndryshme (marrja hua mbi rezerva, testimi i zgjidhjes së transaksioneve, përmirësimi i transparencës) dhe i shkallëzon ato në një sistem që mund të mbështesë likuiditetin global. Nëse Stablecoin-ët të mbështetura nga Bitcoin-i arrijnë pjekurinë, ato do të shndërrojnë miliarda në rezerva të papërdorura, në një kapital funksional, duke mbështetur në mënyrë të heshtur rrjedhën e kredisë dhe tregtisë.

Rritja e Bitcoin-it është treguar shpesh si një histori grafikësh çmimesh dhe spekulimesh. Por, rëndësia e tij e vërtetë qëndron diku tjetër. Bitcoin-i nuk do të jetë thjesht një tjetër aset në bilancet e korporatave. Ai do të jetë themeli mbi të cilin ndërtohet likuiditeti – shtylla e re kurrizore e ekonomisë globale. /Telegrafi/