Ramë Bislimi, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Shtimes, ka folur për planprogramin e tij që ka për këtë qytet në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ai ka theksuar se prioritetet e tij janë shëndetësia, arsimi, përkujdesja sociale, bujqësia, blegtoria, infrastruktura, siguria publike e shumë të tjera.
Bislimi ka premtuar edhe investime të shumta në shëndetësi.
“Për shëndetësinë, kam në plan të investoj në Qendrën Kryesore Familjare me pajisje moderne dhe me staf profesional, rritjen e numrit të mjekëve dhe infermierëve, dhe krijimin e kushteve më të mira të punës, zgjerimin e shërbimeve diagnostike në nivel komunal që qytetarët të mos detyrohen që për nevojat e tyre të shkojnë në qendra të tjera spitalore, por t’i kryejnë shërbimet në qendrën tonë, sigurimin e barnave dhe të pajisjeve, shërbim 24/7, autoambulanca të reja, shërbim emergjent të përhershëm, përfshirë edhe ambulancat mobile për fshatrat më të largëta,” tha Bislimi.
I njëjti ka përmendur edhe mbështetjen për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjet e dëshmorëve e invalidëve.
“Isha ndalur edhe te përkujdesja sociale. Për organizatat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për momentin nuk ka kushte për të funksionuar në zyrat aktuale. Ju premtoj veteranëve dhe invalidëve të luftës, si dhe familjeve të dëshmorëve, se do të kenë zyrën e tyre brenda objektit të Komunës. Do të kujdesem që zëri i tyre të dëgjohet dhe të kenë qasje të drejtpërdrejtë në institucionet komunale. Po ashtu, edhe të gjithë lapidarët në qendrën e Shtimes do të kenë mirëmbajtje,” tha Bislimi. /Klankosova.tv
The post Bislimi prezanton planprogramin për Shtimen, përmend mbështetjen për veteranët e UÇK-së appeared first on Klan Kosova.