E enjte, 12 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeBislimi pas takimit në Bruksel: Sorenseni ka vizion të qartë si të...

Bislimi pas takimit në Bruksel: Sorenseni ka vizion të qartë si të ecet përpara, është herët për rezultate konkrete

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ndërmjetësi i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka një vizion të qartë për mënyrën se si duhet të ecet përpara në proces. Megjithatë, ai ka theksuar se është ende herët të priten rezultate konkrete.

Pas takimit trilateral të mbajtur të martën në Bruksel mes tij, homologut serb Petar Petkoviq dhe ndërmjetësit Sorensen, Bislimi ka dhënë detaje mbi temat që janë diskutuar në sesionin trilateral dhe më pas në atë bilateral me Sorensenin.

“Kemi pasur seri takimesh. Kemi filluar me një takim trilateral, i cili ishte i pari i këtij formati me Sorensenin. Ideja ka qenë që të kemi tri tema të ndryshme në takimet e sotme. Në fillim, jemi dakorduar për principet se si do të udhëhiqen takime trilaterale me Sorensenin. Jemi dakorduar me të gjitha propozimet e Sorensenit”, ka treguar Bislimi.

Ai tha se Sorenseni ka treguar përkushtim dhe po investon shumë në përparimin e dialogut.

“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shumë një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, ka shtuar ai.

Sipas tij, pjesa kryesore e takimit ishte përqendruar në ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

“…kemi treguar idetë tona se si mund të sigurohemi të zbatohet Marrëveshja Bazike. Nuk ka pas dakordim të plotë mes palëve. Na është thënë që në takimin e radhës t’i sjellim idetë në mënyrë të shkruar”, theksoi Bislimi.

Në takimin bilateral me Sorensenin, kryenegociatori kosovar theksoi se janë diskutuar çështje të ndjeshme dhe me rëndësi për Kosovën.

“Personat e pagjetur për ne ka qenë tema më e rëndësishme, ku kemi treguar çfarë ka bërë Kosova këto muaj e çfarë nuk ka bërë Serbia. Kemi diskutuar edhe për transferet financiare te qytetarët e Luginës së Preshevës, dhe kemi garantuar se s’bëjmë shkelje. Diskutuam edhe për funksionalizimin e interkonjeksionit me Serbinë që po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjithashtu folëm edhe për menaxhimin e integruar të kufirit që ka ngecur faji i Serbisë dhe fushatën sistematike të dezinformatave nga ana e Serbisë”, ka përfunduar Bislimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT