Aktivisti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Faton Bislimi, ka thënë se sytë e botës do të jenë nesër të kthyera nga Alaska për shkak të takimit në mes presidentit të ShBA-së, Donald Trump dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.
Bislimi tha se për shqiptarët në përgjithësi e për Kosovën në veçanti është e rëndësishme dhe duhet të jetë syhapur që të shoh se interesi i ShBA-së është i fokusuar në çështje madhore gjeopolitike ndërkombëtare.
Ai tha se liderët shtetërorë të Kosovës duhet të punojnë shumë më shumë sesa të flasin për marrëdhëniet me Amerikën, në mënyrë që Kosova të mos mbetet një monedhë kusuri mes fuqive të mëdha në diskutimet që kanë të bëjnë me çështjen e Ukrainës.
“Ajo që neve na intereson më së shumti, sidomos si shqiptarë në përgjithësi por edhe si Kosovë në veçanti është se fokusi i dy poleve të ndryshme botërore që udhëheqin me politikën ndërkombëtare, siç janë Amerika dhe Rusia për shkak të agresivitetit të vet në Ukrainë, shpresojmë të gjithë që të arrijnë të kenë një marrëveshje që nuk i bën dëm Ukrainës, por mbi të gjitha sjell paqe, zhvillim dhe ndalim të konfliktit atje”.
“Për ne është e rëndësishme dhe duhet të jemi shumë syhapur ta shohim që interesi i shteteve si Shtetet e Bashkuara, është i fokusuar në një çështje madhore të gjeopolitike ndërkombëtare siç është çështja e Ukrainës dhe kur kemi parasysh marrëdhëniet historike dhe lojalitetin në vazhdimësi të treguar nga Serbia ndaj Rusisë, duhet të jemi shumë syhapur dhe të punojmë shumë më shumë sesa të flasim për sa i përket marrëdhënieve tona në mënyrë që ne të mos mbetemi një monedhë kusuri mes fuqive të mëdha në diskutimet e mëdha që kanë të bëjnë me çështjen e Ukrainës”, tha ai.
The post Bislimi: Liderët tanë të punojnë që Kosova të mos mbetet monedhë kusuri për çështjen e Ukrainës appeared first on Klan Kosova.